Barcelona e përmirësoi Neymarin
Ikona braziliane, Pele mendon se Neymar do të shkëlqejë në Botëror. O’Rei thotë se transferimi në Barcelonë e ndihmoi ish futbollistin e Santosit të përmirësohet.

Sport
Legjenda braziliane, Pele thotë se Neymar u përmirësua shumë, që prej se iu bashkua Barcelonës, duke e konsideruar sulmuesin si një gjeni të futbollit.
22 vjeçari iu bashkua gjigantit spanjoll nga Santosi verën e kaluar, duke realizuar 13 gola dhe duke dhuruar 11 asistime në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.
Ylli i ri pritet të jetë lojtari kryesor i Brazilit, në Botërorin që do të mbahet këtë muaj.
“Në vitin 1958, unë isha vetëm 17 vjeç dhe luajta vetëm në vendin tim. Neymar është 22 vjeç dhe ka eksperiencë, pasi luajti në Spanjë për një vit”, deklaroi Pele për “Times of India”.
“Koha ka ndryshuar tash. Kjo e ndihmon lojtarin të adaptohet në një stil ndryshe të futbollit. Ndiej se Neymar do të jetë lojtar më i mirë, pas transferimit në Barcelonë. Ai ka një talent të jashtëzakonshëm”, vazhdoi Pele.
“Dhe, ai ka aftësi ta marrë ekipin në duart e tij siç bëri në Kupën e Konfederatave. Ky djalosh është një gjeni i futbollit”, përfundoi 73 vjeçari.