Barça tregoi karakter

Xavi Hernandez e ka përshëndetur reagimin e Barcelonës, në duel me Athletic Bilbaon. Mesfushori spanjoll thotë se gjiganti katalunas demonstroi karakter dhe kërkon fitore në katër ndeshjet e fundit në La Liga.

Sport

21/04/2014 01:00

Xavi Hernandez thotë se Barcelona tregoi karakter në ndeshje me Athletic Bilbaon, të cilën e fitoi me rezultat 2:1 të dielën mbrëma.

Mesfushori spanjoll është kundër kritikave që i mori gjiganti katalunas së fundmi, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe humbjes në finale të Copa del Rey nga Real Madridi.

“Bilbao e bëri një lojë të mirë. Për ne ishte e rëndësishme t’i fitonim tri pikë dhe ta vazhdojmë rrugëtimin tonë në La Liga. E bëmë një lojë të mirë. Demonstruam se kemi karakter”, deklaroi fillimisht veterani i mesfushës.

“E kemi humbur një finale dhe u eliminuam nga Championsi dhe njerëzit flasin dhe kritikojnë. E dimë se çka pritet nga ne. Na takon të punojmë, vrapojmë, të luftojmë dhe të fitojmë. Duhet ta bëjmë punën tonë dhe t’i fitojmë katër ndeshjet e mbetura”, vazhdoi Xavi.