Barca ndalet nga Sociedad, i jep mundësi Realit që të marrë lidershipin para El Clasicos

Barcelona është ndalur nga Real Sociedad, në kuadër të xhiros së 16-të në La Liga.

Sport

14/12/2019 17:46

Barcelona ka marrë vetëm një pikë në një udhëtim mjaft të vështirë, duke luajtur 2:2 me Sociedad, shkruan lajmi.net.

Katalanët ishin në disavantazh qysh pas minutës së 12’, kur Mikel Oyarzabal shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Antoine Griezmann riktheu balancin në minutën e 38’, duke gjetur golin pas asistimit të Luis Suarez.

Suarez ishte ai që shënoi për epërsinë e parë të Barcës në këtë ndeshje, duke shfrytëzuar asistimin e Leo Messi në minutën e 49’.

Tri pikët për skuadrën e Barcelonës i mohoi Alexander Isak, duke shënuar gol në minutën e 62’ të takimit.

Barca tashmë numëron 34 pikë pas 15 ndeshjeve të luajtura, në pozitën e parë, por duke i dhënë mundësi Realit që të parakalojë, me një fitore eventuale kundër Valencias.

Sociedad numëron 27 pikë në pozitën e katërt në tabelë.

Barca do të përballet me Real Madrid në ndeshjen e ardhshme. /Lajmi.net/