Barca dorëzohet për Jovic, lojtarin po e presin krahëhapur në Madrid

Ylli i Benfica, i cili aktualisht luan në formë huazimi tek Eintracht Frankfurt, Luka Jovic, po vazhdon të jetë temë kryesore e medieve spanjolle.

Sport

15/04/2019 08:45

Ishte fillimisht skuadra e Barcelonës ajo që interesohej për lojtarin, duke e vëzhguar edhe nga afër në shumë ndeshje.

Së fundmi, ‘Marca’ kishte shkruar se Luka Jovic është ‘i zgjedhuri’ i Real Madrid, duke lënë të kuptohet se do të ketë rivalitet të madh për nënshkrimin e reprezentuesit serb.

Por, një ‘El Clasico’ jashtë fushës së blertë nuk do ta shohim, pasi ‘Mundo Deportivo’ raporton se skuadra katalane ka hequr dorë nga sulmuesi, transmeton lajmi.net.

Në listën e dëshirave të Barcelonës janë edhe emrat si Maxi Gomez dhe Andre Silva, por skuadra akoma nuk është e vendosur.

Kujtojmë se Luka Jovic ka shënuar 17 gola në Bundesliga këtë edicion, por ka qenë vendimtar edhe në garat evropiane.

Frankfurt do ta blejë kartonin e lojtarit në fund të këtij sezoni për maksimum 6 milionë euro, kurse planifikon ta shesë atë po këtë afat kalimtar, për minimum 45 milionë euro. /Lajmi.net/