Baraliu: Me qëndrime jam më afër Vetëvendosjes

Ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, njohës i proceseve politike, Mazllum Baraliu, e ka ndarë mendjen të inkuadrohet në politikë. Ai është shprehur i gatshëm ta japë kontributin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit. 

Lajme

16/05/2014 10:37

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka bërë me dije të enjten se kontributin e tij tash e tutje do ta japë në Lëvizjen Vetëvendosje! Ai ka ka thënë se ka zgjedhur Vetëvendosje!-n për arsye se qëndrimet dhe orientimet e tij politike janë më afër me këtë lëvzije.

“Jam i interesuar që kontributin tim ta jap në jetën parlamentare, gjegjësisht të ndihmoj aty ku eventualisht mendoj se është më se e domosdoshme ose e nevojshme. Mendoj se më afër me qëndrimet, përpjekjet dhe orientimet e mia është Lëvizja Vetëvendosje!”, ka thënë Baraliu në një intervistë për “Epoka e re”.

Baraliu ka bërë me dije se është koha që legjislatura e ardhshme të jetë më kompetente më e përgatitur si dhe më rezultatdhënëse. Në këtë kontekst, ai ka thënë se të gjitha partitë politike duhet të kandidojnë për deputetë të Kuvendit të Kosovës njerëz të ditur dhe të ndershëm.

“Është koha të kemi një legjislaturë edhe më kompetente, më të përgatitur, si dhe më rezultatdhënëse. Mendoj se të gjitha subjektet politike do të duhej ta marrin seriozisht këtë moment politik dhe shoqëror, pra mundësinë t’i përpilojë listat me njerëzit më të mirë që kanë, më të përkushtuar, më të ditur dhe më të ndershëm”, ka deklaruar Baraliu në “Epoka e re”.