Banorët e rajonit të Rugovës ankohen se po u merren 12 mijë hektarë nga Mali i Zi (Video)

Banorët e rajonit të Rugovës, pranë kufirit me Malin e Zi, i kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me përcaktimin e kësaj vije kufitare.

Lajme

04/06/2015 13:25

Së bashku me kryetarin e komisionit shtetëror për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Ali Lajqin, banorë të kësaj zone janë takuar sot me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nga i cili kanë kërkuar që të shqyrtohet edhe njëherë përcaktimi i këtij kufiri.

Ata janë ankuar se me këtë demarkacion të kufirit, shumë prona të tyre po kalojnë në shtetin e Malit të Zi.

Ali Lajqi ka vlerësuar se ky proces, deri më tani ka shkuar me trende negative, pasi sipas tij, nuk janë marr për bazë të dhënat e dokumentuara në hartat e vitit 1974.

“Ky proces i deritanishëm, konsideroj se ka shkuar me një trend negativ dhe kemi ardhur që të shprehim shqetësimet tona. Nuk janë marr për bazë çështjet bazike”.

“Ne disponojmë të gjitha dokumentet që dëshmojnë se në pjesën e Rugovës, vija kufitare me Malin e Zi është futur brenda territorit të Kosovës. Është harta e vitit 1974 që definon kufijtë. Jashtë kësaj harte, ne nuk guxojmë të bëjmë as një lëshim”, ka thënë Lajçi, raporton lajmi.net.

Ai ka shtuar se me këtë ridefinim të vijës kufitare, Kosovës po i merren mbi ë mijë hektarë tokë, për të kaluar në pjesën e Malit të Zi.

Ndërkohë, kryeparlamentari Kadri Veseli, ka thënë se Kosova gëzon raporte shumë të mira me Malin e Zi, duke shtuar se për çështjen e përcaktimit të kufirit, janë duke punuar komisione nga të dy shtetet.

“Ne kemi raporte të shkëlqyera me Malin e Zi. Shumë shpejtë, në pajtueshmëri edhe me komunitetin ndërkombëtar, do të kemi definimin e çështjes së kufirit. Ne jemi duke punuar me fqinjin e mirë që këtë çështje ta zgjidhim bashkërisht me kërkesat e komuniteteve”, ka thënë Veseli.

Ridefinimi i vijës kufitare me Malin e Zi ka ngjallur reagime të mëdha te banorët e asaj ane, të cilët ankohen duke pretenduar se u janë marr një hapësirë e konsideruar e pronave të tyre.

YouTube player