Banorët e Emshirit n’hall nga era e keqe dhe minjtë
Për të shkuar deri në shtëpi, banorëve të lagjes “Kalabria”(ish-Emshiri) iu duhet të kalojnë nga përroska e cila kundërmon aromë të keqe. Përveç kësaj banorë të kësaj lagjeje shpeshherë u ka rënë që të “takojnë” edhe minj të mëdhenj.

Lajme
Kundërmimi i aromës së keqe i dy përroskave në rrugën “Rexhep Krasniqi” nuk nuhatet vetëm kur të dilsh nga shtëpia. Era e keqe e ujërave të zeza, depërton edhe brenda shtëpive dhe banesave të tyre.
Këta banorë kanë frikë nga shpërthimi i ndonjë epidemie sidomos gjatë verës kur temperaturat kanë shkuar mbi 30 gradë Celsius.
Para dy muajsh banorët e “Kalabrisë” kanë marrë premtim nga komunarët se problemi i tyre i kahershëm do të zgjidhet për dy javë.
Madje kjo u është thënë në një debat publik që zyrtarët e komunës kanë mbajtur me banorët e lagjes.
Por as pas dy muajsh problemi për banorët e “Kalabrisë” nuk është zgjidhur.
Blerim Mujku, banor i lagjes “Kalabria”, do të kishte dëshirë që kundërmimin e keq që e ndjejnë cdo ditë ta përjetojnë edhe kryetari Shpend Ahmeti dhe drejtori i Infrastrukturës në komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi.
Ai ka ironizuar me dy zyrtarët e komunës duke thënë se do të kishte dëshirë që ata dy ta nuhasnin siç e ka quajtur “aromë e këndshme”.
“Problemi kryesor i kësaj lagjeje është kjo përroska këtu që po shihet. Ka kundërmim shumë të madh të erës, ka minj të mëdhenj, ‘pacova’ që do me thënë çdo herë i sheh sa herë kalon i sheh këtu…Është diçka e padurueshme kjo gjendje që është këtu për banorët e kësaj lagjeje…Mirëpo problemi kryesor është i komunës e cila na ka premtu çdo herë, ka me u rregullu, ka me u rregullu. Sidomos këto dy vitet e fundit çdo dy-tre muaj kanë ardh në debat publik edhe na kanë premtua. Tenderi është hazdër, edhe është i kontraktuar kompania mirëpo na nuk po shohim që është tu u bo diçka, që ka fillu diçka…Kisha pas qef me pas mundësi me pru dikon të komunës këtu ose Shpend Ahmeti ose Hysen Durimishin, veç pesë minuta me jetu këtu me neve me nda këtë farë arome të këndshme që e kena këtu, edhe besoj që ka me intervenu shumë shpejt”, tregon Mujku për KosovaPress.
Era e pakëndshme po e mundon edhe banorin tjetër të lagjes, Afrim Musliu, sipas të cilit është e padurueshme. Problem tjetër për lagjen “Kalabria”, po është edhe ura e cila po shkakton problem. Madje sipas Musliut gjatë kohës së dimrit ata detyrohen të përdorin rrugët tjera për kalim që të shpien deri në shtëpitë e tyre, pasi që kjo rrugë bllokohet nga ujërat e zeza.
“Kjo deklaratë me jep këtu diqysh rëndë po më doket, se është erë e pakëndshme. Por gjatë fushatave elektorale, mujna me thënë kështu lirisht që veç thojna nesër-pasnesër, veç kur të i shohim bagerat, do me thënë makinat e rënda nesër kanë me dalë me rregullu këtë çështje…Kjo qe disa herë flitet do me thënë që përveç është shpallë tenderi… Është urë e ngushtë do me thënë dimrit mundemi me thënë me ka një javë ditë ne i kemi shiritat e komunës që e bllokojnë këtë vend, është shumë problem me kalu. Na detyrohemi qytetarët e rëndomtë të kësaj, lagjeje detyrohemi me gjet rrugë alternative për secilin me shku në shtëpitë e veta”, thotë Musliu.
E për Isak Maxhunin, kundërmimi i kësaj përroske, e cila po sjellë edhe insekte që po rrezikojnë edhe shëndetin e njerëzve. Ai madje tha që kryetarit i ka rënë “sharra në gozhdë”.
“Nuk mujna me i hap fare dritaret se kund ërmon aromë e keqe. Vijnë do mushkonja, do insekte , të paparashikueshme, do me thënë të ngacmojnë. Spo di çka me thënë më tepër, me të vërtetë është e rrezikshme kjo, mundet me u hap naj epidemi…Komuna ka pas premtu, kena pas takim këtu të shkolla ‘7 Marsi’, kjo në Kalabri… Kryetari ka pas fillu mirë, e boni këtë rreth-rrotullimin këtu, do sene i premtoj, por këtu si duket ka ngecë, s’di për çka , a i ka has sharra në gozhdë, a çka është në pyetje nuk po mujna na me marrë me mend. Se me të vërtetë është një sen që duhet me u evitu ky problem, se ka shumë banorë dhe është një vend shumë i frekuentueshëm”, tha Maxhuni.
Naim Makolli po ashtu banor i kësaj lagjeje, bënë thirrje që të zgjidhet ky problem e nga kjo të mos helmohen njerëzit e Kalabrisë. Ai madje ka kritikuar të parin e Komunës, Shpend Ahmeti, duke shtuar se në këtë lagje gjithçka është jo normale.
“Kjo erë shumë e madhe, ka të kalojmë, fëmija për shembull gjithmonë shkojnë e mbyllin gojën ka të kalojnë. Ka shumë ‘pacova’ të mëdhenj këtu. Gjithçka është jo normale në lagjen Kalabria. Në këtë kohë me kanë ky kanalizim pa mbulesë , është shumë punë e madhe. Unë shpresoj që kryeministri duhet me marrë këtë sa më shpejtë që është e mundshme mos me i helmu edhe njerëzit këtu çka janë në Kalabri….Ky kryetari i komunës sot që është veç ‘Zoti hajër e boftë’, se edhe prej tij sen s’ka. E di një që është qaty u hi, e ka bo qafen qysh me thonë, pare po merr boll, e për neve sen spo bon. ..Ky problem ‘honedon’ është qashtu”, tha Makolli për KosovaPress.
Në lidhje me trajtimin e ujërave të zeza në lagjen “Kalabria” zyrtarët e komunës ia lënë fajin cështjeve të pronave.
Këto sipas zëdhënësit t? ? komunës së Prishtinës Xhevdet Pozhari janë pengesat që nuk ka filluar ende të ndërtohet kolektori për trajtimin e ujërave të zeza.
Pozhari, nëpërmjet telefonit tha të dielën për KosovaPress se sapo të tejkalohet ky problem do të vazhdohet me realizimin e projektit, pasi që trajtimi i ujërave të zeza siç thotë ai është prioritet i qeverisjes së Shpend Ahmetit.
“Problemi me kanalizimin te pjesa e ashtuquajtur ‘banesat e arabëve’, do të zgjidhet brenda 2-3 ditëve përmes një kontrate kornize, ndërsa problemet me kanalizim në Kalabri do të zgjidhen me ndërtimin e kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza. Aktualisht, janë paraqitur disa pengesa që lidhen me çështje pronësore e sapo të tejkalohen ato do të vazhdohet me realizimin e projektit pasi që trajtimi i ujërave të zeza në Komunën e Prishtinës është prioritet i qeverisjes tonë dhe në këtë rrafsh janë duke u realizuar disa projekte”, tha Pozhari.
Ndryshe banorët e lagjes “Kalabria” që nga paslufta përballen me problemin e njëjtë. Ndërtimi i një kolektori për ujërat e zeza në ëktë lagje është përmendur në të gjitha fushatat e partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet komunale. Këto premtime kanë mbetur vetëm premtime fushate ndërsa era vazhdon të kundërmojë.