Banorët e disa fshatrave në Kaçanik dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes

Disa persona nga disa fshatra të Kaçanikut janë helmuar nga uji i pijes.

Lajme

06/07/2022 15:02

QKMF e kësaj komune ka njoftuar se qytetarët e lokaliteteve Nikaj, Rekë, Biçec, Dubravë e Doganaj, janë lajmëruar me simptoma të vjelljes, temperaturës, barkqitjes, mundimit e plogështisë, shkruan lajmi.net.

Sipas kësaj QKMF-je, ka dyshime se uji në këto lokacione është i ndotur.

“Situata është në kontrollë të plotë dhe nuk ka arsye për panikë. Ne si institucion kemi kontaktuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në Ferizaj ,me ç’rast ata kanë marrë mostrat e ujit për analiza kimike dhe bakteriologjike dhe rezultatet i presim pas disa ditëve”, thuhet në komunikatën e QKFM-së në fjalë.

Njoftimi i plotë:

Qytetarë të lokaliteteve Nikaj,Rekë ,Biçec,Dubravë ,Doganaj ju rekomandojmë që ujin për pije t,a vloni para përdorimit ,pasi që ujin që po e përdorni për pije po dyshojmë se është i ndotur. Gjatë këtyre 2 ditëve kemi pasë raste të shumta të pacientëve me simptome të vjelljes,temperaturës,barkqitjes ,mundimit,plogështisë.Shumica e pacientëve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë trajtuar në QKMF dhe deri më tani nuk e kemi asnjë pacient të hospitalizuar.

Situata është në kontrollë të plotë dhe nuk ka arsye për panikë. Ne si institucion kemi kontaktuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në Ferizaj ,me ç’rast ata kanë marrë mostrat e ujit për analiza kimike dhe bakteriologjike dhe rezultatet i presim pas disa ditëve !

Poashtu edhe sot një ekip mjekësor nga IKSHPK-ja, në Ferizaj ka dalë në terren te këto lokalitete për të bërë edhe disa analiza shtesë. /Lajmi.net/