Banorët e “Dheut të Bardhë” shumë shpejt me trotuar

Në lagjen “Dheu i Bardhë” ka filluar ndërtimi i trotuarit me kubëza.

Lajme

12/11/2014 17:05

Drejtori i Shërbimeve Publike të Komunës së Gjilanit, Sokol Haziri ka inspektuar sot punimet në ndërtimin e trotuarit në gjatësi prej 600 metrash, në lagjen “Dheu i Bardhë”.

Ai tha se brenda pak ditësh do të përfundojë ky projekt dhe qytetarët, në veçanti nxënësit e shkollës “Rexhep Elmazi”, do ta kenë më të lehtë qarkullimin.

“Projekti i shtrimit të trotuarit me kubëza të betonit përfshinë një gjatësi prej 600 metrash, i cili e lidhë një pjesë të rrugës në drejtim të shkollës në “Rexhep Elmazi”. Është një mundësi më e mirë për qarkullim të papengueshëm të nxënësve sepse është pjesë shumë e frekuentueshme nga nxënësit e kësaj shkolle. Kështu do të punojmë vazhdimisht. Kryetari Haziri e ka dhënë premtimin se gjithandej ku kemi mundësi do të do të jemi në punë dhe në veprim dhe qytetarët po i shohin përditë rezultatet e këtyre premtimeve. Projekti do të vazhdojë në të ardhmen edhe në pjesën tjetër të shkollës”, ka thënë drejtori Haziri.

Haziri ka potencuar se do të përpiqen që hapësirat publike të jenë sipas standardeve europiane dhe t’ju krijojmë kushte të mira qytetarëve tanë kudo që të kenë jetë më të mirë.

Drejtori i DSHP-së tha se “të gjitha projektet e parapara për këtë vit do të përfundohen para vitit të ri, pra në kohën e duhur dhe shpresojmë që do ta heqim lloçin dhe vadat, ashtu siç ka premtuar kryetari Lutfi Haziri”, transmeton Koha.net.