Banorët e Bregut të Diellit dhe Matit 1 përballen me mungesë uji

Banorët e lagjeve ‘Bregu i Diellit’ dhe ‘Mati 1’ janë ankuar me ditë të tëra për reduktime të ujit në këtë zonë. Reduktimet nga Ujësjellësi, sipas qytetarëve janë mbi 22 orë pa ujë e vetëm dy orë me të, e në të shumtën e rasteve edhe mbi 30 orë. “Non stop natën kemi pasë probleme,…

Lajme

20/10/2024 21:16

Banorët e lagjeve ‘Bregu i Diellit’ dhe ‘Mati 1’ janë ankuar me ditë të tëra për reduktime të ujit në këtë zonë. Reduktimet nga Ujësjellësi, sipas qytetarëve janë mbi 22 orë pa ujë e vetëm dy orë me të, e në të shumtën e rasteve edhe mbi 30 orë.

“Non stop natën kemi pasë probleme, tash që një muaj edhe ditën, kurrë pa u rahatu. S’ di qysh është ma keq, s’po kuptoj pse e qysh. S’ kemi as ku me u anku, as kënd me pyet, nuk di. Veç kur e shohim sa vjen një orë, dy, nalet. Dje tërë ditën, tërë natën veç dy orë kemi pasë në mëngjes”, tha një banore.

Besim Nokshiqi, qytetar tha se furnizimin me ujë e kanë shumë problem. “Puna kurqysh hiç, të shumtën e kohës nuk ka ujë hiç, sidomos natën nuk ka hiç, gjatë ditës poashtu kohë pas kohe. Kështu që për momentin është shumë keq. Ujësjellësi gjithmonë lajmërohet, thotë se është problemi me popmpa. Papërgjegjësi totale komplet, domethënë po përballëm me mizerie”, tha ai.

“Këtë muajin e fundit çdo natë e ndalin në orën 7-8 deri në mëngjes. Gjatë ditës kemi më mirë, por sidomos natën më së shumti kur kemi nevojë me e lëshu makinën me i la rroba tme çmim të lirë të rrymës, uji ndalet dhe po duhet me çmim të shtrenjtë”, tha Hysen Maxhuni, qytetar.

“Bash këtë javën e kaluar kemi pasë shumë probleme. thanë gjoja se është një prishje e madhe. Vajza e djali e kanë thirrë ujëjsellësin, kanë thënë që është një prishje e madhe dhe sanohet deri në ora 6 në mbrëmje, derisa uji ka ardhë në ora 10:30 në mbrëmje”, tha Murtez Kqiku.

Megjithatë nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina thanë për televizionin publik se dy ditët e kaluara ka pasur probleme me ujë në “Kodër të Diellit”. Zëdhënësja Arjeta Mjeku tha se problemi me ujë në këtë lagje tani është rregulluar.

“Furnizimi me ujë të pijshëm sot është mirë, nuk kemi probleme, gjithçka u kthye në normalitet. Ndërsa dje e pardje kemi pasur telashe me identifikimin e disa problemeve në kompleksin e Standardit, derisa sot u stabilizua”, tha ajo.

Banorët e këtyre lagjeve thonë se kohë pas kohe përballen me reduktime të gjata të ujit, andaj kërkojnë nga Ujësjellësi Rajonal ‘Prishtina’ të njoftojë kur kryhen punime qofshin ato për ndërrime të gypave apo diçka tjetër.