Bankat në Kosovë edhe me formatin IBAN
Pas pranimit në kodin e veçantë bankar SWIFT, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka pranuar njoftimin për regjistrimin e formatit IBAN të numrave të llogarive të mbajtura në bankat e Kosovës. Kjo konsiderohet e arritur e madhe për bankat në Kosovë, të cilat kanë kod të veçantë bankar.

Lajme
IBAN-i (International Bank Account Number) është një format i standardizuar ndërkombëtarisht i numrit të llogarisë bankare, i cili është në përdorim nga shumë shtete, kryesisht në Evropë. Lindi si një iniciativë evropiane për integrim ekonomik në fushën e pagesave.
Qëllimi parësor i përdorimit të formatit IBAN, sipas zyrtarëve të BQK-së, është zvogëlimi i rrezikut të gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare, duke i përkufizuar ata strukturalisht dhe aritmetikisht. Formati IBAN është i rregulluar me standardin ndërkombëtar ISO 13616.
“Që nga zyrtarizimi i kodeve SWIFT të bankave në Kosovë vitin e kaluar, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe bankat komerciale të vendit kanë qenë të angazhuara për zyrtarizimin edhe të formatit IBAN të numrave të llogarive bankare të Kosovës, me qëllim të avancimit të mëtejmë të kryerjes së pagesave ndërkombëtare”, thuhet në një njoftim të BQK-së.
Fillimisht, formati IBAN, siç thuhet, do të jetë në përdorim opsional në pagesat ndërkombëtare dhe nuk do të ketë reflektim në pagesat brenda vendit.
Data efektive e formatit IBAN të llogarive bankare të Kosovës do të jetë 1 shkurt 2015. Deri atëherë, sipas përfaqësuesve të BQK-së, do të kryhen të gjitha përgatitjet teknike dhe njoftimet e klientëve nga ana e institucioneve financiare të vendit.
Sipas BQK-së, përdorimi i formatit IBAN për llogaritë e mbajtura në Kosovë do të plotësojë funksionalitetin e sistemit SWIFT lidhur me kryerjen e pagesave ndërkombëtare të qytetarëve dhe subjekteve të tjera të vendit tonë.
“Në radhë të parë, përdorimi i formatit IBAN të llogarive bankare do të lehtësojë pagesat ndërkombëtare hyrëse në Kosovë, duke i mundësuar bankës së jashtme identifikim më të qartë të llogarisë bankare të përfituesit në Kosovë dhe kontroll plotësues të saktësisë së kësaj llogarie”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Për më tepër, përdorimi i formatit IBAN, siç thuhet, do të forcojë afirmimin ndërkombëtar të institucioneve financiare të vendit.