Balotelli injoron Suarezin

Mario Balotelli nuk është i interesuar për duelin e tij personal me yllin e Uruguait, Luis Suarezin dhe insiston se me rëndësi është që Italia të kualifikohet përpara nga Grupi D i Kampionatit botëror.

Sport

24/06/2014 14:47

Sulmuesi i Italisë, Mario Balotelli ka refuzuar të diskutojë rreth betejës personale me yllin e Uruguait, Luis Suarez, para ballafaqimit vendimtar të skuadrave në rrethin e tretë të Grupit D në Kampionatin botëror.

Ai insiston se krejt çka ka rëndësi është kualifikimi tutje i Azzurrëve. Italia dhe Uruguai kanë nga tri pikë para duelit të fundit në Grupin D, por golaverazhi superior i Azzurrëve nënkupton se atyre ju mjafton edhe barazimi për t’u kualifikuar tutje. Ndërsa, Uruguai duhet të fitojë, në mënyrë që të vazhdojë garën.

Andaj, pa dyshim se dueli është përshkruar edhe si një ballafaqim direkt mes Balotellit dhe Suarezit. Por, italiani nuk është i interesuar për sukses individual.

“Nuk është çështje e dy individëve, është duel mes dy ekipeve që duan të jenë në fazën tjetër të garës”, deklaroi Balotelli për Times of India. “Ne do të luftojmë për të shpëtuar dhe ky është motivim i mjaftueshëm për të gjithë ne. Besoj se edhe Suarez do të mendojë njësoj”, u shpreh ai.