Ballkani shënon fitore kundër Trepçës 89, merr përkohësisht kreun e tabelës

Skuadra e Ballkanit ka vazhduar formën e mirë të treguar në këtë fillim sezoni.

Sport

13/09/2019 17:52

Therandasit kanë arritur që të marrin fitore të merituar para tifozëve të tyre, duke mposhtur Trepçën 89, me rezultatin 3:2, raporton lajmi.net.

Serinë e golave në këtë takim e hapi Magani, në minutën e parë të takimit.

Ballkani nuk ndali hovin dhe qysh në minutën e 12’ arriti të dyfishonte rezultatin, duke treguar se janë në fushë vetëm për tri pikët.

Kurse në pjesën e dytë, të dy skuadrat arritën të gjejnë golin nganjëherë së paku.

Fillimisht, i transferuari nga Prishtina, Arbër Hoxha, në minutën e 50’arriti të shënonte golin e tretë për Ballkanin, kurse Manaj ngushtoi epërsinë vetëm 7 minuta më vonë.

Rezultatin final e vendosi pikërisht Manaj, kur realizoi edhe golin e dytë personal dhe të skuadrës së tij, në minutën e 81’.

Në pjesën e mbetur të takimit, tri pikët për vendasit i mbajti në lojë portieri Ruxhi, i cili bëri një pritje spektakolare, pesë minuta para fundit të takimit.

Me këtë fitore, Ballkani i Munishit pas katër ndeshjeve numëron 8 pikë, duke marrë përkohësisht kreun e tabelës. Trepça 89 në anën tjetër ka pesë pikë pas katër ndeshjeve. /Lajmi.net/