“Ballkani i Hapur” më 7 dhe 8 qershor në Ohër, Kosova refuzoi Mali i Zi dhe Bosnja i bashkohen

Për dy ditë radhazi Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e samitit “Ballkani i Hapur”.

Lajme

07/06/2022 08:54

Më 7 dhe 8 qershor, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, do të presë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Por këtë herë në tryezën e “Open Ballkan” do të ketë edhe pjesëmarrës të tjerë.

Për herë të parë në kuadër të këtij samiti do të jetë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kurse nga Bosnja e Hercegovina pjesëmarrës do të jetë , Zoran Tegeltija, kryesues i këshillit të ministrave të këtij shteti.

E pjesë e këtij samiti nuk do të jetë Kosova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e kësaj tryeze të “Open Ballkan”.

Kurti i ktheu një letër ditë më parë homologut maqedonas duke treguar se Prishtina përkrah Procesin e Berlinit si iniciativë rajonale.

Madje në një deklaratë të dhënë ditë më parë, Kurti tha se nuk i beson atij grupi politikanësh që besojnë te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor 6 është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar, por nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore… Ne jemi në rregull me këtë dhe mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit 2.0 tashmë, me një nisje të freskët nga kancelari Scholz…”, tha Kurti.

Për nismën “Ballkani i Hapur”, të hënën ka folur edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia e mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, për të cilën tha se është nismë e Beogradit.

Siç raportuan mediat serbe Lavrov u shpreh se “udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”.

Për dallim nga shtetet e tjera të rajonit të cilat i janë bashkuar këtij samiti, Kosova që nga fillimi ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e “Open Ballkan”.

Madje lidhur me këtë pati shpesh herë edhe deklarata e kundërdeklarata nga drejtuesit e shteteve rajonale./Lajmi.net/