Balla: Kosovarët në Hungari, presin reagimin e Prishtinës zyrtare (video)

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla, kërkon nga autoritet kosovare që të aktivizohen më shumë në riatdhesimin e qytetarëve të vet që po qëndrojnë në vendstrehimet e këtij shteti. Duke folur për situatën politike në Kosovë, Balla u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje, që kapërcen ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve nacionale. 

Lajme

09/08/2014 11:37

Numri i emigrantëve kosovarë që po qëndrojnë në disa vendstrehime në Hungari, ndonëse është pakësuar, vazhdon mbetët barrë e autoriteteve të Kosovës.

Qindra qytetar të Kosovës, që kishin kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia për në Hungari, vazhdojnë të qëndrojë në këtë shtet, duke pritur për një zgjidhje.

Qeveria e Hungarisë u ka kërkuar disa herë institucioneve gjegjëse të Kosovës, që të bëjnë më shumë në riatdhesimin e tyre.

Përfaqësuesi i këtij shteti në Kosovë, Ambasadori Laurant Balla, thotë se bashkëpunimi në mes të qeverisë hungareze dhe asaj kosovare është i mirë, mirëpo, sipas tij, duhet gjetur zgjidhje edhe për ata qindra kosovarë që po vazhdojnë të qëndrojnë në këto pika strehimi.

Në një intervistë eksluzive për lajmi.net, Ambasadori hungarez bëri të ditur se në këto vendstrehime, vazhdojnë të qëndrojnë vetëm ata persona që e kanë shkelur ligjin e Hungarisë, ndërsa, sipas tij, pjesa tjetër janë liruar.

Ambasadori Balla, duke komentuar ngjarjet e fundit politike në Kosovë, ka kërkuar nga partitë politike që sa më shpejtë të gjejnë zgjidhje, për të kaluar nga ky ngërç politik.

Duke folur me një shqipe të rrjedhshme, që do t’i “kompleksonte” shumë shqiptarë, Balla tha se mungesa stabilitetit politik në Kosovë, rrjedhimisht do të ndikonte edhe në vendet e rajonit, pasi që, siç u shpreh, Kosova është i vetmi shtet në rajon që kufizohet me pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Lajmi.net: Si e cilësoni situatën politike në Kosovë pas mbajtjes së zgjedhjeve të fundit dhe a mund të cilësohet si bllokadë politike zvarritja për formimin e institucioneve?

Ambasadori Balla: Nuk dua që të marr guximin që të kritikojë politikën e brendshme të Kosovës, por mund të bëjë disa komente të përgjithshme. Një situatë e pasigurt nuk i shërben Kosovës, një nga institucionet siç është Parlamenti i cili nuk funksionin, as kjo nuk i shërben Kosovës. Besoj se ka nevojë për Qeveri të fortë, sa më stabile, sepse Kosova ka lidhje më të gjitha vendet e rajonit dhe nëse një vend nuk është stabil atëherë mund të ketë probleme në të gjithë rajonin. Kështu që unë do të këshilloja që të gjeni një zgjidhje sa më shpejt dhe zgjidhje sa më stabile.

Lajmi.net: Ju thatë që Kosova ka lidhje me vendet e rajonit dhe mos-stabiliteti i saj mund të ndikojë në rajon po ashtu. Për çfarë lloj jo-stabilitetit po flisni?

Ambasadori Balla: Stabilitet politik dhe në aspektin e sigurisë po ashtu. Ka komunitete në të gjitha vendet shqiptare, në Maqedoni, në Kosovë kemi disa komunitete të tjera. Ne si Hungari mbështesim gjithmonë të drejtat e komuniteteve dhe ka nevojë për kompromise dhe kompromiset ndërtojnë stabilitet.

Lajmi.net: Sa mund të ndikojë kjo gjendje politike në rrugën e integrimit të Kosovës në strukturat e para anëtarësimi, pasi që dihet që Kosova ka nisur MSA-në. A mund të ketë ndikim kjo?

Ambasadori Balla: Ne inicimin e MSA-së e shikojmë si një sukses duke pasur parasysh që pesë vendet e BE-së nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Besoj që duhet shikuar në këtë mënyrë. Pastaj nëse ka pasiguri, sigurisht që vonohet procesi. Vetëm një shembull, ne si Hungari në vitet e 90- ta, brezi ynë kishte qëllim jetësor hyrjen në BE, por në atë kohë edhe ne kishim probleme. Anëtarësimi është i vështirë, nuk bëhet brenda ditës. Ne e kishim një shaka, duke thënë se vitet kalojnë ndërsa anëtarësimi ynë është gjithmonë 10 vjet para nesh. Pastaj u bë pesë vjet, por më në fund arritëm, me shumë punë dhe shumë kompromise arritëm. Nuk dëshiroj të krahasoj as historinë e as rajonin, sepse jetojmë në histori dhe kohëra të ndryshme, por këto 10 vjet mund t’i keni edhe ju por si jo shaka.

Lajmi.net: Nëpër media është raportuar se disa qytetarë janë duke u mbajtur në disa vendqëndrime në Hungari, ku shpesh janë quajtur si kampe përqendrimi. Çfarë është duke ndodhur me të vërtetë, sa është numri i tyre dhe pse po mbahen ende?

Ambasadori Balla: Disa herë disa zyrtarë kosovarë kanë vizituar këto të ashtuquajtura kampe. Këto vende janë ndërtesa normale me tualet, me kuzhinë, me mundësi interneti. Por, një gjë duhet kuptuar, njerëzit që shkojnë atje njëherë kanë shkelur rregullat dhe ligjet e Hungarisë që janë përafërsisht të barabarta me të gjitha vendet e Schengenit. Do të thotë, nëse ti hyn ilegalisht në kufi, atëherë është një gjë sikur të hysh tek fqinji jo nëpërmjet derës por nëpërmjet dritares. Nëse ti kërkon azil, atëherë ti kërkon ndihmë dhe ndihma që ofrohet paguhet nga taksapaguesit hungarez. Numri i kosovarëve që kanë hyrë ilegalisht, veçanërisht vitin e kaluar ishte i lartë, do të thotë disa mijëra. Numri i tyre është disa qindra, do të thotë nuk flasim për numë të madh. Sipas mendimit tim, nuk është shumë etike që të ankohesh për atë që e merr gati falas, se riatdhesimi duhet të paguhet vet qytetari që e ka shkelur ligjin, por ata nuk kanë para as për strehim, prandaj ne ofrojmë aq sa mundemi , dhe ofrojmë në bazë të ligjeve dhe rregullave tona. Ne si hungarez mund ta kuptojmë situatën e kosovarëve sepse në vite 90-ta ishim të detyruar që marrim viza dhe nuk na është ofruar gjithmonë. Por, ka mënyra legale, ne lëshojmë viza, disa qytetarë kosovarë punojnë legalisht në Hungari, por unë nuk do të them që është mirë që të hysh ilegalisht dhe tu paguash para trafikantëve të njerëzve.

Lajmi.net: Cili është raporti me qeverinë e Kosovës në këtë aspekt, a keni bashkëpunim të mirë në zgjidhjen e këtij problemi?

Ambasadori Balla: Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me Ministrinë e Brendshme, me Policinë e Kosovës. Qytetarët riatdhesohen herë pas here, zakonisht kthehen me avion. Vetëm përvoja të mira kemi me MPB-në. Vetëm vitin e kaluar kemi pasur situatë të vështirë, sepse numri i azilkërkuesve kosovarë vetëm në verën e 2013-ës arriti deri në 6 mijë, por u qetësua shumë situata. Riatdhesimi megjithatë vazhdon në një pjesë të rasteve, dhe në të vërtetë ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me organet kompetente kosovare. Megjithatë, besoj se mund të bëhet më shumë për informimin e publikut kosovarë, duke u treguar se atje nuk është parajsa që ju pret atje, kanë nevojë për punë dhe nëse fillon ilegalisht atëherë do të kthehesh.

Lajmi.net: Çfarë është duke ndodhur me qytetarët kosovarë që gjinden atje. Ju thatë se janë qindra sish. A janë duke qëndruar në të njëjtën pikë strehimi apo janë liruar?

Ambasadori Balla: Një pjesë është liruar, por tani për tani mbahen vetëm ata që kanë bërë diçka ilegale, jo vetëm që kanë kërkuar strehim, por që kanë shkelur ligjet e Hungarisë dhe mund të mbeten në këto vendstrehime për vetëm 6 muaj maksimum.

Lajmi.net: E çfarë është duke ndodhur me ata persona që vetëm kanë kaluar në mënyrë ilegale kufirin por nuk kanë bërë ndonjë shkelje tjetër të ligjit?

Ambasadori Balla: Ata mund të lëvizin lirshëm, dhe më vjen keq që në shumicën e rasteve ata vazhdojnë rrugën e tyre drejt vendeve perëndimore dhe më pas vendet perëndimore i kthej sërish ata në Hungari, pra në vendin e parë të Schengenit ku ata kanë hyrë.

Lajmi.net: Çfarë planesh ka qeveria juaj lidhur me këtë çështje?

Ambasadori Balla: Unë besoj se plane më shumë duhet të kenë organet kosovare, pasi ne kemi bërë çmos. Për ne është një barrë tepër e rënd emigrimi. Ju e dini që gjithmonë vendet që janë afër kufirit Schengen kanë më shumë barrë. Ne jemi vendi i parë nëse niseni nga këtu drejt Schengenit. Kështu që ne kemi bërë çmos, më shumë nuk mund të ofrojmë, hotele luksoze nuk mund të ofrojmë për emigrantët, kështu që unë propozojë që këtu në Kosovë të bëhen ndryshime sepse ndryshimet do të kenë ndikim edhe në liberalizimin e vizave.

Intervistën e plotë në gjuhën shqipe mund ta ndiqni në video-incizim: