Balje: Taksa është e mirë, por SHBA-të janë shumë të rëndësishëm

Deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka deklaruar se është e kënaqur me mbarvajtjen e politikës në vendin tonë, duke e vënë në pah se në parlament ky komunitet janë të përfaqësuar nga tre deputetë dhe gjithashtu e kanë edhe një ministër në Qeverinë e Kosovës.

Lajme

08/03/2019 10:18

“Jemi duke u munduar të ndihmojmë në secilën mënyrë. Kosova eshte shteti i boshnjakëve. Jemi një komunitet që jemi bash pastër kosovarë, sepse ne e kemi Bosjnjen por s’kemi përkrahje nga Bosnja”.

Ajo po ashtu ka folur edhe për raportet që ka partia e saj me kryeministrin e vendit, duke hedhur poshtë se ndonjëherë mund të jenë kushtëzuar për ndonjë votë.

“Deri tash kemi pas raport shumë të mirë. Sa herë kemi pasur kërkesa na ka perkrahur”.

“Ne asnjëherë nuk kemi votuar për diçka që ka qenë kundër Kosovës. Ne gjithmonë kemi qenë për Kosovën dhe nuk kemi bërë diçka për ta dëmtuar Kosovën”, është shprehur Balje gjatë intervistës në Klan Kosova.

“Bosnja s’është shteti i boshnjakëve, serbët kanë atje të drejtën e vetos. Për neve është problem me bë kontakte atje. Me pasaporta diplomatike kemi aplikuar për viza dhe e kemi marr përgjigjen negative”.

“Boshjakët atje janë krenarë per ne dhe shpresoj që shumë shpejt do ta pranojnë Kosovën”, shtoi ajo.

Mes tjerash Balje foli edhe në lidhje me taksën ndaj produkteve serbe dhe bosnjake:

“Taksa ka qenë mirë dhe është, por gjithashtu mendoj se si shtet jemi i vogël dhe SHBA-të janë shumë të rëndësishëm, kështu që po ashtu duhet të gjendet një mes që të respektohet edhe Kosova edhe miqtë e Kosovës”.

Deputetja boshnjake foli edhe për kërkesa të komunitetit të saj ndaj qeverisë, duke thënë se kanë mbetur pa përgjigje.

“Edhe tash jemi duke bërë presion dhe kërekesë për tre komuna – Zhupën, Dragashin dhe Mitoviricën. 11 kërkesa janë në ministri dhe asnjëherë nuk kemi marr përgjigje negative, por deri më sot nuk ka ndodhur asgjë konkrete në këtë çështje”.

Në fund përfaqësuesja e VAKAT foli edhe për akuzën e politikanit Numan Baliq, i cili e kishte cilësuar si tradhtare.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt dhe problem me Baliq. Ndoshta ai ka me mua. Por unë nuk mund të bashkëpunojë me dikë që ka ngacmuar një person të mitur”, ka përfunduar ajo.