Bakim Haxhiu – ‘Kamishi’ kritikon ashpër FFK-në

Ish-nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Bekim Haxhiu, e ka kritikuar ashpër këtë organ qeverisës të futbollit rreth organizimit të dobët të ndeshjes kualifikuese për Euro 2021 që u zhvillua të martën në Prishtinë ndërmjet Kosovës U-21 dhe Turqisë U-21.

Sport

12/06/2019 12:55

Djelmoshat e Rafet Prekazit zhvilluan një ndeshje fantastike duke mposhtur 3-1 ekipik turk, por këta të fundit janë ankuar për pritjen që iu është bërë nga ana e kosovarëve, të cilët ata i konsiderojnë ‘’si vëllezër’’.

Trajneri i Turqisë U-21 shkoi aq larg, duke pretenduar se sigurimi i ndeshjes goditi portierin rezervë të tyre, diçka që ende nuk është vërtetuar nga organet kompetente, shkruan lajmi.net.

Pas kësaj ka reaguar ish-nënkryetari Bekim Haxhiu, i njohur si ‘Kamishi’, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, përmes profilit të tij në rrjetin social ‘Facebook’, ka lëshuar disa fjalë për organizimin e dobët.

“Kjo nuk guxon të ndodh, nëse ne nuk kemi përvojë në organizim, mikpritja çdo herë ka qenë traditë e jona. Ata që vinë për të luajtur tek ne, duhet të kthehen me përshtypjet me të mira për Kosovën. Kujdes! Nuk është kjo liga e Kosovës, këto janë lojë zyrtare të UEFA-s, dënimet mund te jenë të larta për Federatën e Futbollit të Kosovës”, shkroi Haxhiu.

Ndryshe, Bekim Haxhiu njihet si një nga kundërshtarët më të mëdhenj të kryetarit aktual të FFK-së, Agim Ademit. /Lajmi.net/