Bajrami u uron sukses nxënësve në provimin e maturës

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë(MASHT), Arsim Bajrami, përmes një njoftimi në profilin e tij ne facebook, ka njoftuar të gjithë maturanten për proceduarat e provimit të maturës që do mbahet nesër.

Lajme

05/06/2015 18:27

Në postimin e tij në facebook, Bajrami u ka uruar sukses maturantëve duke thënë që suksesi i tyre paraqet sukses edhe për MASHT-in.

Ja postimi i plotë i ministrit Bajrami:

Të dashur maturantë,

Nesër keni Provimin e Maturës Shtetërore që është një vlerësim përfundimtar i jashtëm i gjithë juve që me sukses pozitiv keni mbaruar shkollën e mesme të lartë. Provimi i Maturës Shtetërore është vlerësim i standardizuar për të verifikuar dhe vlerësuar arritjet tuaja përgjatë arsimit parauniversitar, si dhe një instrument për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Provimi i Maturës Shtetërore do të organizohet në dy pjesë dhe do të përmbajë 200 kërkesa të strukturuara nga lëndët e përgjithshme (Matematikë, Gjuhë amtare, Gjuhë angleze – 120 pyetje) dhe 80 pyetje nga lëndët e profilit përkatës arsimor. Testi do të përmban kërkesa të tipit të mbyllur, me zgjidhje të shumëfishta, me katër alternativa, nga të cilat vetëm njëra është e saktë. Ju nesër do të hyni në pjesë e parë të provimit ku do të vlerësoheni në pyetjet nga lëndët e përgjithshme (Matematikë, Gjuhë amtare, Gjuhë angleze – 120 pyetje).

Provim do të filloj në ora 10.00 dhe do të mbaroj në ora 13.00 (180 minuta). Ju duhet të paraqiteni në Qendrën e Testimit, para fillimit të testimit, të posedoni me vete letërnjoftimin, të veproni sipas udhëzimeve të administruesit të testit dhe të plotësoni me kujdes fletëpërgjigjen e testit.

Secili maturantë duhet të respektoj rregullat dhe udhëzimet e administruesit të testit. Askush nuk mund të i nënshtrohet provimit nëse paraqitet me vonesë dhe secili që pengon të tjerët apo përdor telefon celular apo mjet tjetër komunikimi gjatë testimit, do të largohet menjëherë nga Provimi i Maturës Shtetërore. Policia e Kosovës do të jetë e angazhuar që të përcjell testet dhe sigurimin e Qendrave të Testimit si dhe po ashtu keqpërdorimet e mundshme në rrjetet sociale në Internet.

Provimit të Maturës Shtetërore do t’i nënshtrohet 32965 nxënës dhe testi do të organizohet në 244 Qendra të Testimit. Për organizimin e suksesshëm MAShT ka angazhuar 770 komisionar, 2500 administrues dhe 440 mbikëqyrës. Provimi i Maturës Shtetërore do të monitorohet nga BIRN Kallxo.xom, Këshilli Rinor Kosovar, Komisioni Parlamentar për Arsim, Kryetarët e Komunave dhe organizata tjera partnere.

Suksesi juaj do të jetë njëkohësisht edhe suksesi yni dhe dëshirojmë që këtë sfidë të rëndësishme të jetës suaj ta kaloni dhe të arrini rezultate sa më të larta.

Ju uroj shumë suksese në Provimin e Maturës Shtetërore!

Arsim Bajrami,

Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë