Bajrami i përgjigjet Mushkolajt: S’kam bërë asgjë për ta mbajtur gojën mbyllur

Deputetja e LDK-së, njëherësh edhe ish-ministre e Financave, Hykmete Bajrami, ka vazhduar polemikat në rrjete sociale me analistin Imer Mushkolaj.

Lajme

29/11/2021 19:07

Pasi që Bajrami kishte thënë se për të zbardhur rastin e vrasjes së tre personave në Deçan, duhet të kërkohet edhe ndihmë nga ndërkombëtarët, Mushkolaj kishte reaguar duke thënë se Bajrami është mirë të mos flasë pasi që ende nuk është zbardhur rasti i vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit gjatë kohës sa Bajrami ishte Ministre e Financave, transmeton lajmi.net.

E në reagimin e saj, Bajrami ka thënë se Mushkolaj duhet të informohet më shumë rreth rastit të vjedhjes së Thesarit, pasi që tashmë personat përgjegjës janë në burg dhe drejtësia është duke e bërë punën e saj.

“Z. Mushkolaj, unë s’kam bërë asgjë në këtë jetë për të me ardhë turp dhe për ta mbajtë gojën mbyllur. Shko i gjen në burg hajnat e 2.1 milionë eurove. Me pasë qenë në vendin tuaj isha informu se çka ka ndodh me rastin e 2.1 milionë euro. Isha informu se ka aktakuzë për këtë rast, ka nisë gjykimi dhe të akuzuarit janë në paraburgim. Gjithçka po zbardhet dhe dihet çdo cent se ku ka shku. Drejtësia po e kryen punën e saj”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë tutje se krimet ndodhin në kohën e secilës qeveri, por se ato duhet të zbardhen.

“Si në kohën time, si në kohën tënde, si në kohën e Qeverisë së tanishme, krimet duhet të zbardhen dhe kriminelët të dënohen. Për secilin krim kurdo e kudo që ndodhë do të kërkoj të zbardhet. Sikurse edhe krimi në Gllogjan të Deçanit”, shtoi ajo. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: