Bajram Rexhepi dëshmon në rastin e Oliver Ivanovicit

Ministri Bajram Rexhepi ka konfirmuar për lajmi.net se ka dhënë dëshmi rreth rolit politik të Oliver Ivanovicit në kohën e pasluftës. Ai nuk pret që të ftohet nga Prokuroria që të dëshmojë gjatë procesit gjyqësor, në rast se ndaj Ivanovicit ngritet aktakuzë.

Lajme

11/02/2014 06:55

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, është njëri nga ata që ka dhënë dëshmi para prokurorëve në procesin e mbledhjes së provave ndaj Oliver Ivanovicit.

Ministri Rexhepi ka thënë për lajmi.net se ka dhënë një dëshmi rreth rolit politik të Oliver Ivanovicit në kohën e pasluftës.

“Kam dhënë një dëshmi për rolin politik të Oliver Ivanovicit. Nuk kam qenë dëshmitar okular i vrasjeve”, ka thënë Rexhepi për lajmi.net.

Ai thotë se nuk pret që të ftohet nga Prokuroria që të dëshmojë gjatë procesit gjyqësor që pritet të fillojë, në rast se ndaj Ivanovicit ngritet aktakuzë.

Në ditët e trazirave të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, në të cilat u vranë mbi 10 civilë shqiptarë, Oliver Ivanovic ishte lideri kryesor i serbëve të asaj pjese, ndërsa Bajram Rexhepi ishte Kryetar i Mitrovicës, i emëruar menjëherë pas luftës nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës.

Ivanovic akuzohet për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës, por edhe për vrasjen e shqiptarëve në ato ditët e vitit 2000, kur shqiptarët u përzunë nga lagje të tëra të Veriut të Mitrovicës.