Bahtiri nuk harron të premtoj sërish: Nesër vendoset për heqjen barrikada në Urën e Ibrit

Sonte në Bruksel kanë përfunduar bisedimet për çështjen e heqjes së barrikadës mbi Urën e Ibrit, e cila njihet edhe si “Parku i Paqes”.

Lajme

24/08/2015 21:50

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në një prononcim të shkurtër për Veriu.info ka deklaruar se nesër pritet nënshkrimin e marrëveshjes për Urën e Ibrit, pasi që ka treguar se tashmë bisedimet kanë përfunduar në nivelin teknik.

“Sonte i kemi përfunduar bisedimet në nivel të grupeve teknike për Urën e Ibrit, ndërsa nesër pritet nënshkrimi i marrëveshjes. Pra, nga aty do të hiqet i ashtuquajturi ‘Parku i Paqes’”, ka thënë Bahtiri.

Ndryshe, nesër do të vazhdojnë bisedimet në nivel të kryeministrave, ku do të trajtohen temat që kanë të bëjnë me çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, heqja e barrikadës mbi Urën e Ibrit, energjetika e kodi telefonik.