Bahtiri, iniciator i asaj që ndodhi në Mitrovicë, vlerëson Kastrati
Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka thënë se Agim Bahtiri nuk ka kompetencë që të heqë barrikadën mbi lumin Ibër.

Lajme
Në një intervistë për Zona B në Klan Kosova, ish-kreu i Mitrovicës, ka thënë se situata e krijuar të dielën, pasi që shpërtheu dhuna në Mitrovicë, është një gjë e padëshiruar nga të gjithë, por se sipas tij “iniciatori” kryesor i asaj që ndodhi është pikërisht kryetari aktual i kësaj komune, Agim Bahtiri.
“Një situatë shumë e rëndë që askush nuk e ka dëshiruar, një situatë që me të vërtetë asnjë qytetar nuk e ka dëshiruar. Kur shohim se të rinjtë hedhin mjete të forta mbi policinë, mendoj që është e papranueshme dhe mendoj se Bahtiri duhet të mendojë mirë se ai ka qenë iniciatori kryesor. Ai një ditë përpara ka thënë se nesër do të ndodhë kështu e kështu”.
“Është parë qartë që kanë qenë dy grupe, një i protestuesve dhe një grup i dhunës dhe unë shtroj pyetjen se kush i ka thirrë ata, nga kanë ardhë, kush i ka orientuar ata”.
“Ura e ibrit duhet me qenë një urë ku kalohet lirshëm, por njëkohësisht për informacion po ju them se në Mitrovicë ka edhe 4 ura, ku nuk ka barrikada dhe kalohet lirshëm. Prandaj është simbol më shumë se sa një pengesë nga e cila nuk mund të kalohet lirshëm”.
Kastrati ka kritikuar rëndë Agim Bahtirin, duke thënë se ai prej momentit që e ka marrë postin nuk e ka ditur se çfarë obligime ka. Ai ka thënë se Bahtiri është dashur të merret më shumë me problemet e përditshme të qytetarëve dhe jo me heqjen e barrikadës.
“Bahtiri nuk ka jetuar në Kosovë një kohë të gjatë, pa eksperiencë në administratë, dhe prandaj unë e kam paraparë këtë që sot po ndodh në Mitrovicë”.
“Kryetari i Komunës duhet me qenë shembull, duhet të ketë mirësjellje dhe nuk duhet të luajë me ndjenjat e qytetarëve. Mendoj se Bahtiri ka luajtur me letrën e të pakënaqurve kur ka premtuar 15 mijë vende pune”
“Unë mund të ju them se kur e dorëzova postin kanë mbetur mbi 200 mijë euro për kryerjen e shtëpive në veri dhe, në vend që ai të merret me ato probleme, ai është marrë me diçka që nuk i takon atij dhe unë mendoj se është takimi esencial edhe i subjektit politik që nuk e ka këshilluar për atë që mundet apo çka nuk mundet të bëjë”, ka thënë Kastrati për Klan Kosova.
Ai ka shtuar në fund se çështja e barrikadës së shpejti do të hiqet nga rendi i ditës, sepse për këtë obligon edhe marrëveshja e Brukselit e vitit të kaluar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.