Bahtiri i zhgënjyer nga Thaçi, shpresat i ka tek Veseli për bashkimin e Mitrovicës

Ideja e kryetarit të Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri, për bashkimin e Mitrovicës në një komunë të vetme, nuk ka gjetur mbështetjen e duhur.

Lajme

07/05/2019 21:42

Fillimisht, Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal nuk e morri parasysh peticionin e nënshkruar nga mijëra qytetarë, e në anën tjetër, as krerët e shtetit nuk dolën shumë mbështetës në këtë ide.

Bahtiri në një prononcim për lajmi.net është shprehur se nuk ka asgjë të re nga ideja e tij për bashkimin e Mitrovicës, por për këtë e ka emëruar një fajtor.

Ai është shprehur se ka pritur nga presidenti Hashim Thaçi që mos t’i shpallë fare zgjedhjet në komunën e Mitrovicës së Veriut por t’ia dorëzoj kompetencat qeverisëse në atë pjesë të qytetit, kryetarit të Mitrovicës së Jugut, pra Agim Bahtirit.

“Unë kam prit që nuk do të shpallen zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, por vetëm të bëhet statusi i njëjtë për Mitrovicën dhe t’i jepet kompetenca kryetarit të pjesës së jugut të qeveris edhe në veri, por kjo nuk ndodhi nga z.Hashim Thaçi dhe le të mbetet në ndërgjegjen e tij”, tha Bahtiri për lajmi.net.

Në anën tjetër, Bahtiri është shprehur se shpresat i ka tek kryeparlamentari Kadri Veseli që do ta procedojë në Kuvend çështjen.

“Pres nga kryeparlamentari që premtimin e tij ta mbajë dhe të procedon në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Unë i kërkoj z.Veseli të mos hezitoj dhe të mos heshtë dhe ta dërgoj në Kuvend çështjen e Mitrovicës”, tha Bahtiri për lajmi.net.

Ai gjithashtu ka shtuar se Mitrovica ka kryetar dhe me shpalljen e zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut është bërë gabim.

Ndërkohë, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për lajmi.net kanë thënë se punimet për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër janë teknikisht të kompletuara.

Zyra e BE-së në Kosovë nuk kanë dhënë datë për hapjen e Urës së Ibrit e që njëkohësisht është ura që e ndanë qytetin e Mitrovicës në dy komuna. /Lajmi.net/