Bahtiri dënon sulmin ndaj të rinjve rom në Mitrovicë

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka shpreh keqardhje të thellë për incidentin që ka ndodhur në lagjen e romëve, duke e dënuar njëkohësisht ashpër sulmin e grupit të huliganëve shqiptarë ndaj dy të rinjve të përkatësisë rome.

Lajme

29/09/2015 16:24

Sipas deklaratave të përfaqësuesve të romëve, incidentin e kanë shkaktuar një grup i të rinjve shqiptarë, që së pari i kanë provokuar të rinjtë rom në lagje dhe më pastaj i kanë sulmuar me thikë dhe gjësende tjera të mprehta.

Në incident janë lënduar Bajram Morava dhe Besnik Rushiti. Ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda dhe po shërohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa Morava ka pësuar po ashtu lëndime të rënda, por mjekët kanë vlerësuar se shërimi i tij mund të vazhdoj në shtëpi, andaj edhe lëshuar nga QKUK-ja.

Kryetari Bahtiri gjatë ditës ka marrë pjesë në një takim të qytetarëve të kësaj lagje, ku ishte i pranishëm edhe zëvendësministri në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Jollgji Shala.

Duke e dënuar ashpër këtë sulm në emër të qytetarëve të komunës dhe në emrin e tij personal, kryetari Bahtiri i ka siguruar banorët rom të lagjes se do të kërkoj masa shtesë të sigurisë dhe se do të kërkoj nga organet kompetente për rend e siguri që të ata që e kanë shkaktuar incidentin të dalin para organeve të drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.

“Ky incident vjen në kohën kur raportet ndëretnike në komunë po përmirësoheshin dita-ditës, andaj edhe kërkon dënim të ashpër nga të gjithë. Organet e hetuesisë kanë arrestuar dy të mitur shqiptarë si të dyshuar për shkaktimin e incidentit. Unë do të doja që incidenti të mos ketë prapavijë politike, por sido që të jetë e dënoj fuqishëm dhe ju garantoj se do të jem pranë jush në të gjitha situatat dhe nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që ju të jeni në shënjestër të huliganëve vetëm se jeni të përkatësisë tjetër etnike. Bashkë me organet e rendit do t’i marrim të gjitha masat që incidentet e këtilla të mos përsëriten”, iu ka thënë kryetari Bahtiri qytetarëve rom që ishin tubuar në lagjen e tyre.

Zëvendësministri Shala dhe kryetari Bahtiri kanë apeluar për gjakftohtësi, maturi dhe për qëndrim korrekt ndaj incidentit, me qëllim që të mos lejohet prishja e raporteve të mira ndëretnike në komunë. Ata edhe njëherë kanë kërkuar nga organet e hetuesisë që të marrin masa për identifikimin e të gjithë pjesëmarrësve të përfshirë në incident dhe vendosjen e tyre para organeve të drejtësisë./KSP