Babai i saj trafikant i drogës, por si u dekretua Vuçetaj si gjyqtare në Kosovë? Nga Presidenca e Këshilli Gjyqësor thonë se s’pati pengesa
Albina Vuçetaj është një nga gjyqtaret e reja të cilën e ka dekretuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 26 gusht të vitit të kaluar. Ndonëse procesi i dekretimit përfundoi si edhe çdo proces tjetër paraprak, duket se para këtij dekretimi institucionet e sigurisë në vend nuk e kanë “zbuluar” një detaj të rëndësishëm tek…

Lajme
Albina Vuçetaj është një nga gjyqtaret e reja të cilën e ka dekretuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 26 gusht të vitit të kaluar.
Ndonëse procesi i dekretimit përfundoi si edhe çdo proces tjetër paraprak, duket se para këtij dekretimi institucionet e sigurisë në vend nuk e kanë “zbuluar” një detaj të rëndësishëm tek kjo gjyqtare, saktësisht tek babai i saj i cili më 2015 ishte dënuar me 4 vite dënim me burgim dhe me 4 mijë euro dënim me gjobë, për trafikim të drogës.
Babai i saj Rifat Vuçetaj, bashkë me vëllain e tij, (xhaxhain e gjyqtares), sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga Kallxo.com ishin të njohur për trafikim të heroinës nga Turqia.
Vëllai i Rifatit, Xhavit Vuçetaj po ashtu ishte dënuar në këtë rast, në vitin 2015. Nga shkalla e parë ai ishte dënuar me dënim unik prej 6 viteve burg dhe dënim me gjobë në shumën prej 5,500 euro.
Në përshkrimin e aktakuzës së asaj kohe tregohet se vëllezërit kishin sjellë heroinë nga Turqia.
Pas dekretimit të gjyqtares Albina Vuçetaj, afër 10 muaj më pas saktësisht me 3 korrik të këtij viti Policia ka realizuar një aksion të quajtur “Qielli i Thyer” e ku ka arrestuar 22 persona, në mesin e tyre edhe Rifatin, babain e gjyqtares.
Sipas dosjes së prokurorisë të njëjtit përmes rrugëve detare dyshohen se kishin bartur drogën e cila porositej në Iran, Turqi e Ekuador.
Dosja përshkruan se droga fillimisht u porosit në shtete të Amerikës Jugut, Iranit e Turqisë e më pas u soll në Kosovë – për t’u transportuar sërish në vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Imsjali, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdiku, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajiç, janë të arrestuarit në aksionin policor të emëruar “Qielli i Thyer” në 45 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Viti, Suharekë e Pejë.
Dosja hetimore tregon se grupi dyshohet se në një periudhë kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera me dashje dhe dijeni kanë kryer veprimtari të përgjithshme në mënyrë të organizuar për të kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
E nga kjo veprimtari grupi dyshohet se pati fitim milionësh.
Por, si e dekretoi Presidenca gjyqtaren Vuçetaj kur babai i saj ishte i dënuar për trafikim me drogë?
Lajmi.net ka dërguar pyetje tek Presidenca e Kosovës, të cilët kanë thënë se më 26 korrik 2024, saktësisht një muaj para dekretimit të saj ka thënë se e ka pranuar propozimin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Siç parashihet me ligjet në fuqi, KGjK propozon emrat e të gjithë kandidatëve të cilët plotësojnë kriteret ligjore për t’u emëruar si gjyqtarë nga Presidentja. Përtej kësaj, të gjithë kandidatët janë verifikuar nga organet përkatëse të sigurisë rreth së kaluarës së tyre kriminale. Raporti nuk ka theksuar asnjë shqetësim rreth kandidates në fjalë, dhe si rrjedhojë, bazuar në obligimet dhe autorizimet e saj kushtetuese dhe ligjore, Presidentja ka dekretuar kandidaten Albina Vuçetaj si gjyqtare me mandat fillestar”, ka thënë këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina.
Kupina ka thënë se ngjarjet dhe rrethanat e tjera [arrestimi i babait të saj] kanë lindur pas emërimit nga Presidentja.
“Bazuar në kornizën ligjore në fuqi, Këshilli Gjyqësor është organi kompetent për të iniciuar tani çfarëdo procesi të ri për të garantuar integritetin e gjyqtarëve në sistemin gjyqësor të Kosovës, prandaj për çdo masë që ndërmerret në kuadër të asaj kompetence, ju lusim t’i drejtoheni atyre me pyetje”, ka thënë Kupina.
Por përveç kësaj, ndonëse nga Presidenca kanë thënë se ngjarja ka ndodhur më pas, Rifat Vuçetaj ishte i dënuar nga Gjykata për trafikim me drogë që në vitin 2015, 9 vite para se e bija e tij të dekretohet si gjyqtare.
Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët kanë thënë se procesi i rekrutimit, provimit, emërimit dhe ri-emërimit të gjyqtarëve në Republikën e Kosovës rregullohet nga Ligji nr. 06/L-054 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe Rregullorja nr. 03/2021, për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Ri-emërimin e Gjyqtarëve.
“Në aspektin kushtetues, neni 108 paragrafi 4 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se: “Propozimet për emërimin e gjyqtarëve bëhen në bazë të një procesi të hapur për emërime dhe në bazë të meritave të kandidatëve. Të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.” Ky parim është i konkretizuar më tej në nenin 20, paragrafi 3 të Ligjit nr. 06/L-054, për Këshillin Gjyqësor të Kosovës ku theksohet se: “Këshilli zhvillon procedurat për rekrutimin e kandidatëve për t’u emëruar si gjyqtarë, në përputhje me Kushtetutën dhe kriteret e përcaktuara me ligj.” Sa i përket verifikimit të integritetit dhe të kaluarës së kandidatëve, legjislacioni në fuqi përcakton qartë se kjo procedurë zbatohet ekskluzivisht ndaj kandidatëve që marrin pjesë në procesin e rekrutimit”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së për lajmi.net.
Sipas KGJK-së, deri kanë sqaruar atë se çka thotë ligji, kanë thënë se “Procedura për vlerësimin e përshtatshmërisë së kandidatit do të bëhet përmes verifikimit të të dhënave të dorëzuara nga kandidati dhe të dhënave nga regjistrat publikë relevantë, përfshirë verifikimin standard të regjistrave për të kaluarën kriminale.”
“Më tej, neni 23 i Rregullores nr. 03/2021 përshkruan procesin e vlerësimit të integritetit personal dhe profesional të kandidatëve, i cili realizohet nga Njësia përkatëse në kuadër të KGJK-së, nën mbikëqyrjen e Komisionit për Rekrutim. Në bazë të kësaj dispozite përcaktohet se: “Nën autoritetin e Këshillit dhe mbikëqyrjen e Komisionit për Rekrutim, Njësia është përgjegjëse për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave që i shërbejnë Komisionit për vlerësimin e integritetit personal dhe profesional të kandidatit, duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.” Gjithashtu, sipas paragrafit 4 të këtij neni, në kuadër të vlerësimit zhvillohet edhe një intervistë me gojë, gjatë së cilës kandidatëve u jepet mundësia të sqarojnë ose të kundërshtojnë çfarëdo gjetje që rezulton nga procesi i verifikimit. Është me rëndësi të theksohet se kuadri ligjor aktual nuk parashikon që lidhjet familjare me persona ndaj të cilëve zhvillohet procedurë penale apo të dënuar, të përbëjnë shkak automatik për diskualifikim, për aq kohë sa vetë kandidati nuk është subjekt i ndonjë procedimi penal dhe nuk ka cenim në integritetin e tij personal apo profesional”, ka shtuar KGJK.
Drejtpërdrejt me gjyqtaren Albina Vuçetaj, KGJK kanë thënë për lajmi.net se nuk ka pranuar ndonjë informacion zyrtar që do të implikonte atë në ndonjë vepër penale, apo që do të ngrite dyshime të arsyeshme mbi integritetin e saj profesional.
“Nëse paraqiten rrethana apo prova të reja që mund të ndikojnë në pavarësinë apo integritetin e ndonjë gjyqtari, Këshilli ndërmerr masa në përputhje me ligjin, përmes mekanizmave disiplinorë dhe strukturave përkatëse mbikëqyrëse. Aktualisht, gjyqtarja Albina Vuçetaj vazhdon ushtrimin e funksionit të saj gjyqësor, pasi që nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor apo administrativ që e pezullon, apo kufizon atë në ushtrimin e detyrës”, ka thënë KGJK për lajmi.net./Lajmi.net/