Babai i Astrit Deharit dhe ish-prokurori Sylë Hoxha “kolegë” të mundshëm në Kuvendin e Kosovës

Rasti i vdekjes së dyshimtë të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari në qelinë e paraburgimit më 5 nëntor 2016 në Prizren do të nxiste më pas një përplasje të ashpër mes familjarëve të Deharit dhe organeve ndjekëse të Prokurorisë. Përplasjet që do të pasonin kishin në fokus dy taborre, familjen Dehari dhe ish-prokurorin Sylë Hoxha. Pesë vite më vonë, Kuvendi mund t’i ketë deputetë ish-prokurorin Sylë Hoxha, dhe babain e Astrit Deharit, Avniun.

Lajme

27/01/2021 19:52

Partitë politike kanë definuar tanimë listat e kandidatëve të tyre për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan lajmi.net.

Disa emra të cilët janë hasur në këto lista, në të kaluarën kishin pasur histori të pasqaruara mes vete. Njëjtë është rasti i ish-prokurorit Sylë Hoxha dhe Avni Deharit, që është babai i aktivistit të ndjerë të VV-së, Astrit Dehari.

Me të lënë profesionin e Prokurorit, Sylë Hoxha ia ka mësyrë menjëherë politikës. Atij, Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka besuar numrin 100 në listën e kandidatëve për deputetë. Kandidimit të Hoxhës i kanë paraprirë disa fotografi ku ai shihet në parafushatën e LDK-së në Prizren, të cilat ishin shenjë se  ai i ishte bashkuar këtij subjekti politik.

Por, nëse arrin t’i marrë votat e mjaftueshme, Sylë Hoxha mund ta ketë përballë në Kuvend babain e Astrit Deharit, Avniun. Këtë të fundit, Vetëvendosje e ka futur në 10-shen e parë të kandidatëve, dhe atë në numrin pesë të listës.  Kësisoj, babai i Astrit Deharit i është futur garës për një ulëse në Kuvend.

Legjislatura e re e Kuvendit mund të jetë arenë përplasjesh mes personazheve të lartëpërmendura të cilët në të kaluarën s’është se i kishin pasur edhe aq mirë raportet.

Sylë Hoxha, si ish-kryeprokuror i Prizrenit, ishte i pari i cili kishte dhënë konstatimin se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje në qelinë e paraburgimit në Prizren, ndonëse më vonë do të thoshte se ai vetëm kishte lexuar raportin e përpiluar dhe nuk kishte nxjerrë asgjë prej vetes.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik tani të të ndjerit Astrit Dehari, dhe nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund të ketë shkaktuar vdekjen. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, kishte thënë Hoxha më 18 nëntor të vitit 2016, saktësisht 13 ditë pas rastit Dehari.

Më 24 tetor të 2019-tës, familja Dehari kishte pranuar raportin për rastin e Astritit, në të cilin hidheshin dyshime se ai mund të jetë vrarë.

Pas pranimit të raportit,  babai i Astrit Deharit, Avniu drejtonte gishtin pikërisht kah ish-prokurori Sylë Hoxha, madje duke e fajësuar për rrjedhjen e rastit.

“Dua të përmend se në rastin e Astritt që e kanë vrarë në burgun e Prizrenit, përgjegjës janë përpos kryeprokurorit  të atëhershëm Sylë Hoxha me kompaninë e tij, janë edhe argatët e tyre, po ashtu edhe kryetarin e KMDLNj-së, Behgjet Shalën’, kishte thënë ai.

E pikërisht Hoxhën që më pas u bë Prokuror i Prokurorisë Speciale, Avni Dehari mund ta ketë përballë në Kuvendin e Kosovës, por në cilësi tjera.

Gjithmonë në qoftë se ata marrin votat e mjaftueshme, do të jenë “kolegë” pune në Kuvendin e Kosovës si deputet.

Gjithçka në lidhje me këtë çështje pritet të mirret vesh më 14 shkurt kur edhe do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë. /Lajmi.net/