Babai i Astritit: Shteti ma vrau djalin (Video)

17:01 | 11 Nentor 2016

Babai i Astritit, Avni Dehari i ka akuzuar ashpër institucionet e vendit se të njetët e kanë shkaktuar vrasjen e djalit të tij në burgun e Prizrenit.

“Shteti e ka vra Astritin. Unë s’kam besim dhe kërkoj hetim të pavarur. Këta edhe me ma ngjall Astritin nuk e dua prej institucioneve që e kanë për detyrë ta ndjekin këtë proces deri në fund”, thotë Avni Dehari.

Ai duke komentuar xhirimet që janë nxjerrë gjatë ditës së djeshme si dhe një pjesë e ditarit që thuhet se është e tashmë të ndjerit Astrit Dehari, vlerëson se këto veprime vetëm po e lëndojnë familjen e tyre.

Babai i Astriti duke folur në një konferencë për media, drejtuar opinionit, thotë se një përvojë shumë të hidhur e patën para dy vitesh kur humbi djalin  tjetër Arbnor Dehari.

“Kemi një përvojë shumë të hidhur kur para dy vjetësh patëm një rast tragjik, e humbëm Arbnorin djalin tjetër,  e që kjo prokuori s’ka sjell kurrfar njoftimi se si ka ndodhur dhe çka ka ndodhur me të”, ka thënë ai.

Ai u është drejtuar edhe mediave duke u thënë atyre që në vend se të merren me padrejtësit që i shkakton ky shtet, ata janë duke u marr me disa gjëra që sjellin mjegull, paqartësi dhe ndihmojnë në padrejtësinë.

“Asnjë shkrim nuk e hasa deri sot pse u arrestu Astriti dhe në çfarë kushte ka jetuar ai dhe po jetojnë këta tjerët. Asnjë shkrim nuk e hasa se a ka pas ai siguri në burgun e Prizrenit. Mediat mundohen të krijojnë situatë sensacionale po na rëndojnë edhe neve psqikikisht”, tha ai më tej.

Avni Dehari tregoi se Astriti ka qenë i angazhuar politikisht në VV me dëshirën e tij. Foli edhe për ditarin që u tha se i takonte  Astritit e që u publikua sot nga disa media.

“Këto ditë u publiku edhe një ditar i tij, kanë filluar të nxjerrin edhe skena nga burgu, pamje të tmerrshme që po na tmerrojnë neve dhe të afërmit dhe kjo është e padrejtë.

Janë ndryshuar cdo ditë deklaratat, unë jam ai që cdo natë kam shku për ta marr lejen për ti shkuar atij në vizitë, përpos anëtarëve të familjes me vete e kam amrr dhe ndonjë shok”, shtoi ai.

Kërkesa, siç bën të ditur babai i viktimës, është bërë publike dhe gjykatësi i ka nënshkru duke e dhënë lejen për vizitë. “Kemi hyrë në prani të policëve që ata vetë i kanë caktuar.

Prokurori qenka instrument politik i pushtetit dhe nuk po e kryen punën për të cilën është përgjegjës”, përfundoi ai.

Kurse Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Moliqaj ka vlerësuar se tendenca për manipulim është e papranueshme. Siç thekson ai, dalja e xhirimeve, ditarëve në këtë mënyrë është e pabesueshme.

Molliqaj në konferencë së bashku me familjarët e Astrit Deharit, tha se do ta përmbyllin këtë shprehje të shqetësimeve dhe se sipas tij, këtë nuk e bëjnë për hatër të pushtetit dhe disa medieve, por për hatër të shqetësimit të shumë qytetarëve./Lajmi.net