‘Baba’: Njeriu me imunitet diplomatik mund të të vrajë por nuk mund të dënohet

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani vazhdon debatin për heqjen e imunitetit të tij.

Lajme

10/06/2016 21:38

Hasani nëpërmjet një sqarimi publik ka thënë se asnjë kuvend në Republikën e Kosovës, por edhe  në asnjë vend tjetër në Evropë, nuk është kompetent për të sqaruar apo hequr imunitetin funksional apo  diplomatik të asnjë gjyqtari kosovar.

Sqarim i plotë për publikun:

Asnjëherë me asnjë shkresë as unë e as Avokati nuk kemi kërkuar sqarimin vetëm të imunitetit funksional të gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çfarë kemi kërkuar dhe do të kërkojmë çdo herë është çështja e imunitetit diplomatik, i cili është parësor, dhe pengesë absolute për çdo dëshmi apo akuzë në procedurën penale.

Pa u hequr imuniteti diplomatik nga organi kompetent dhe me kërkesën e organit kompetent nuk mundë të zhvillohet asnjë procedurë penale. Organ kompetent në rastin tim të dytë, të nisur në datën e njëjtë me të parin dhe për qëllime të njëjta hakmarrëse primitive, për ta kërkuar heqjen e imunitetit diplomatik të gjyqtarit ndërkombëtar është  EULEX-i, punëtor i të cilit është gjyqtari Robert Carolan, kurse kompetent për të kërkuar heqjen e këtij imuniteti është vetëm Prokurori i Shtetit përmes Kryeprokurorisë së Shtetit.

Kjo quhet e drejtë kushtetuese për barazinë e armëve, që e mbron qartë edhe legjislacioni penal kosovar që nga viti 1974 e deri me sot. Përpara është quajtur BARAZIA E PALËVE NË PROCEDURË. Në praktikën gjyqësore evropiane të vendeve demokratike nuk ka pasur asnjë rast të vetëm që një person me imunitet diplomatik të ketë dëshmuar në një çështje penale.

NJERIU ME IMUNITET DIPLOMATIK MUND TË TË VRAJË, MUND TË GËNJEJ E TË THOTË ÇFARËDO QË I DON ZEMRA. E, MEGJITHATË, ME ASNJË KOD PENAL  AJO/AI NUK MUND TË DËNOHET.

Në të njëjtën kohë, sqarojë se asnjë kuvend në Republikën e Kosovës, por edhe  në asnjë vend tjetër në Evropë, nuk është kompetent për të sqaruar apo hequr imunitetin funksional apo  diplomatik të asnjë gjyqtari kosovar.

HEQJA APO SQARIMI I TIJ NGA ORGANI KOMPETENT MUND TË NDODHË VETËM ME KËRKESËN E PROKURORIT TË SHTETIT TË RASTIT KONKRET E PËRMES KRYEPROKURORIT TË SHTETIT.

As në ish Jugosllavi dhe asnjëherë në historinë gjyqësore të Evropës gjykatat apo gjykatësi nuk ka bërë kërkesë për sqarim apo heqje të imunitetit funksional apo diplomatik. Kjo ka ndodhur në rastin tim dhe të Arta Rama-Hajrizi.

Kjo është kështu sepse në rast kur kryetari i një gjykate, apo gjyqtari individual me lejen e kryetarit të saj/tij, dërgon ne kuvend një kërkesë të tillë, atëherë  gjykatat bëhen prokurore, kurse kryetarët e gjykatave bëhen Kryeprokuror të Shtetit. Ka një parim kushtetues që quhet NDARJE E PUSHTETEVE. Këtë parim ne ua mësojmë studentëve që nga viti i parë i studimeve.