Azem Syla mohon akuzat e Maria Bamieh

Deputeti i PDK-së, Azem Syla, ka mohuar akuzat e prokurores Maria Bamieh se një rast penal kundër tij është penguar nga kryeprokurori Jonathan Ratel.

Lajme

05/11/2014 07:50

Ai ka thënë se këto akuza nuk janë kredibile, derisa “i ka dhënë mbështetje gjyqësorit dhe EULEX-it”.

“Tashmë një kohë është bërë rutinë e atakimeve të emrave të përveçëm nga segmentet-individët e caktuar për t’iu dhënë kredibilitet akuzave të tyre të llojeve të ndryshme. Edhe pse jo rrallë, kredibiliteti i akuzave të tilla është shumë i paqëndrueshëm dhe tendencioz”, ka thënë Syla në një deklaratë dërguar “Kohës Ditore”.

Sipas Sylës, këto akuza nuk mund të ndalen si të tilla, dhe se as që është ky qëllimi i tij.

“Ajo çfarë dëshiroj të theksoj me këtë reagim është se nuk është në të mirë të së vërtetës të marrë vëmendje për promovim pa u dëshmuar vërtetësia e pretendimeve dhe motiveve të vetë personit akuzues”.

“Besoj fort se pa standardin e verifikimit të konstatimeve të tilla mbetet mangësi edhe vetë standardi i lirisë sonë dhe respektit reciprok. Pres nga ju të keni përgjegjësi publike dhe institucionale për pretendimet e tilla akuzuese nga njeriu që do të duhej të ishte vetë mbrojtës i ligjshmërisë në Kosovë, si dhe të drejtave të njeriut”.

“Me këtë reagim shpreh po ashtu respektin dhe përkrahjen time personale për institucionet e pavarura të gjyqësisë tonë dhe asaj ndërkombëtare, si dhe EULEX-it që t’i shkojnë deri në fund të vërtetës”, ka thënë në reagimin e tij Azem Syla, shkruan Koha Ditore.