Axos Capital kërcënon Qeverinë

Axos Capital ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për zvarritje të privatizimit të PTK’së. Në një reagim të tyre, përfaqësues të këtij konsorciumi kanë lënë fajtorë forcat politike që, sipas tyre, e kanë politizuar procesin.

Lajme

04/01/2014 14:09

Konzorciumi Axos Capital që pritje të privatizonte 75 % të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës e fajëson Qeverinë e Kosovës dështimin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

Grupi investues i cili qe shpallur si fitues i garës për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK’së ka shprehur kritika të forta në adresë të Qeverisë e cila e përmbylli procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrje, pas dështimit të miratimit të vendimit për shitjen e saj në Kuvendin e Kosovës.

Axos Capital kërcënon tani Qeverinë e Kosovës me marrjen e masave ligjore.

Komisioni Ndër-ministrorë për privatizimin e PTK’së në Kosovë hoqi dorë nga shitjen e shumicës së aksioneve të PTK’së në fund të muajit dhjetor, pas refuzimit në bllok të opozitës dhe disa deputetëve të koalicionit për ta zyrtarizuar shitjen e saj, për shkak të siç u tha, shkeljes së procedurave gjatë procesit të privatizimit.

Kompania e quajtur ACP Axos Capital, një konsorcium me investitor amerikanë dhe europian, si ofertues, kishte afat deri më 26 dhjetor që të nënshkruaj marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për blerjen e 75 % të aksioneve të PTK’së, por Qeveria dështoi disa herë radhazi të marrë miratimin e Kuvendit për këtë privatizim që solli shumë përplasje mes pozitës dhe opozitës.

Në një email të dërguar për Total Telecom të premten, Jan Budden, menaxher dhe partner në kompaninë ACP Axos Capital, pretendon se vonesat në këtë proces “janë shkaktuar nga Qeveria”.

“Vendimi përfundimtar nga Qeveria qe i papritur dhe i pa arsyeshëm për të ndërprerë procesin e privatizimit. Ky veprim është krejtësisht i papranueshëm nga të gjitha standardet dhe ka pasoja të rëndësishme ligjore, komerciale, ekonomike dhe pasoja financiare” tha ACP Axos Capital, në deklaratën e tyre.

“Ne do të konsiderojmë që të ndërmarrim të gjitha aksionet e nevojshme duke përfshirë të gjitha procedimet ligjore, në përputhje me ligjet ndërkombëtarisht të aplikueshme për mbrojtjen e interesit dhe të drejtave tona”.

“Procesi i privatizimit ishte i strukturuar dhe ishte çuar përpara në përputhje me standardet ndërkombëtare, por pastaj u shndërrua në një futboll politik”, thekson ACP Axos Capital, duke akuzuar Kuvendin e Kosovës “për keqpërdorim të procesit për arsye të betejave të brendshme politike”.

“Përderisa beteja po zhvillohej, ACP Axos Capital ishte përgatitur për të finalizuar marrëveshjen”.

Konsorciumi, i cili është duke punuar në bashkëpunim me partnerin e tij teknologjik, Telekom Italia dhe BT, ishin pajtuar që të paguanin 277 milionë euro për 75% të aksioneve të PTK’së, e cila thuhet se është “pothuajse dyfishi i shumës ofertës së dytë më të mirë”.

Ata premtuan që do të investonin 150 milionë euro në PTK për 5 vitet e ardhshme dhe që do të ndihmonin që të sjellin investitorë të tjerë ndërkombëtarë në Kosovë.