Axhami dhe Analfabet

Sali Berisha e quan Kryeministrin Edi Rama “axhami dhe analfabet”. Ai u mor me fjalimin e Ramës në një konferencë për ekonominë.

Lajme

20/09/2013 16:59

Sali Berisha vazhdon të godasë online.

Ish Kryeministri i Shqipërisë po vëzhgon në detaje ditët e para të veprimtarisë së pasardhësit të tij, Edi Rama, dhe nuk po përton të shkruajë në Facebook për përshtypjet e tij, gjithsesi negative, për kryesocialistin e zgjedhur Kryeministër.

Të premten Berisha u  mor me fjalimin e Ramës në një konferencë për ekonominë dhe me mburrje e theksoi konkluzionin e ekspertëve ndërkombëtarë se “ekonomia shqiptare ishte e vetmja në rajon që nuk ra në recesion”.

“Axhami” dhe “analfabet” janë dy epitetet që Berisha ia dha sot Ramës.

“Ata konfirmuan se Shqipëria fal modelit ekonomik, pati një rritje ekonomike 4 herë më të madhe se sa vendet e rajonit, pati rritje të investimeve të huaja dhe eksporteve me 315 %, ulje të papunësisë nga 13,3 në 12 për qind. Ekspertët paralajmëruan Qeverinë të mos prek modelin aktual ekonomik. Kurse biznesi kërkoi të mos preket taksa e sheshtë.”

“Mirëpo, këto e zemëruan shumë Ramën, aq sa ai nuk lexoi dot as fjalimin e përgatitur nga Cani dhe këputi marrëzira të tilla, se biznesi nuk do të jetë armik, se kompanitë e mëdha do të auditohen dhe nuk do të kenë të bëjnë me autoritetet tatimore të vendit, se borxhin do ta mbajë Banka e Shqipërisë (ndonëse vetëm ajo e mban, etj).”

“Ai i hutuar, sapo e mbylli fjalën, pyeti panelistët – “ Si j’u duk fjala ime”?”

“Por, prej tyre mori vetëm disa shenja përçmuese, rrudhje buzësh e të tjera. Një mik i imi i huaj, do të më shkruante nga salla, se Mr. Rama jo vetëm është analfabet, por dhe rrezik real për ekonominë e Shqipërisë.”