Avokati Halimi: Ivanoviq duhet varur në litar

23:58 | 21 Janar 2016

Mahmut Halimi

Mahmut Halimi, ish gjyqtar hetues, ka komentuar vendimin e gjykatës për ta dënuar Oliver Ivanoviqin me 9 vjet burg – për krimet e kryera pas luftës në Mitrovicë.

Ai ka thënë se ka pritur që dënimi të jetë më i lartë, duke e cilësuar si shpërblim dënimin me nëntë vjet burg.

“E kam pritur që nëse i vërtetohet fajësia dënimi do të jetë pak më i ashpër”, tha ai në Klan Kosova.

“Mendoj si jurist, si profesionist, nga aspekti ndërkombëtar, vet fajësia do të thotë shumë. Është satisfaksion edhe për viktimat edhe për pasojat të cilat janë shkaktuar”.

“Duke e krahasuar këtë dënim me të tjerat që janë dhënë në praktikën gjyqësore në këto raste mund të konsideroj që është shpërblim për dikë që ka marrë pjesë në vrasjen e 47 qytetarëve të Mitrovicës”.

Halimi ka krahasuar dënimin e Ivanoviqit me atë të Sabit Gecit dhe Sami Lushtakut, të cilat raste, sipas tij, tregojnë për anësinë e drejtësisë ndërkombëtare.

“Sabit Geci është shpallur fajtor për kinse një veprim, se kinse i ka maltretuar disa qytetarë, se kinse ka pasur rol komandues për ç’gjë është dënuar me 15 vjet burg”.

“Rasti tjetër, të cilin nuk e njeh asnjë praktikë gjyqësore – nuk ka rast kur me prova fiktive dënohet dikush me 12 vjet, si Sami Lushtaku”.

“Shqiptarët që po ballafaqohen me drejtësinë ndërkombëtare për krime të luftës janë jashtëzakonisht të diskriminuar”.

“Më kujtohen katër dëshmitarë të cilët e kanë implikuar Ivanoviqin që ka qenë prezent dhe ka marrë pjesë në ato që kanë ndodhur. Qysh atëherë është vërtetuar përtej çdo dyshimi se ai ka qenë kryerës i këtyre veprave”.

Më tutje Halimi ka thënë se edhe dënimi kapital nuk do të ishte i mjaftueshëm për të vendosur drejtësinë në këtë rast, ndërsa ka theksuar se EULEX-i nuk është më kredibil.

“Të vihet në litar është pak. Është i vogël çfarëdo dënimi për krimet të cilat i ka shkaktuar atë ditë(Oliver Ivanoviq)”.

“Për të akuzuarit shqiptarë dënimet kanë qenë të dyfishta, për krime shumë më të vogla. Ne jemi në një situatë kur nuk kemi mundësi, por as pushtet të përzihemi në çështjet e drejtësisë së EULEX-it”.

“Besueshmëria në EULEX-in ka rënë moti. Është një pushtet i ndarë nga organet e drejtësisë së Kosovës. Vetëm na ka shkaktuar dëme dhe pasoja tek gjyqësori vendor. Besueshmëria për gjykime të drejta dhe të paanshme është në pikëpyetje”.