Avokati Bajraktari: Arrestimi i kosovarëve nga Serbia në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, vazhdim i politikës së vjetër gjenocidale
Arrestimi i dy shtetasve të dyshuar të Kosovës nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Horgoshit, mes Serbisë dhe Hungarisë, ka rikthyer frikën dhe pasigurinë për qytetarët kosovarë që udhëtojnë nëpër Serbi. Policia serbe ka njoftuar sot paradite se ka ndaluar dy persona, H.E., 49 vjeç, dhe B.E., 52 vjeç, të cilët dyshohen për “krime…

Lajme
Arrestimi i dy shtetasve të dyshuar të Kosovës nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Horgoshit, mes Serbisë dhe Hungarisë, ka rikthyer frikën dhe pasigurinë për qytetarët kosovarë që udhëtojnë nëpër Serbi.
Policia serbe ka njoftuar sot paradite se ka ndaluar dy persona, H.E., 49 vjeç, dhe B.E., 52 vjeç, të cilët dyshohen për “krime lufte kundër popullsisë civile”, të kryera sipas tyre më 9 gusht të vitit 1999, në bashkëpunim me disa anëtarë të UÇK-së, raporton lajmi.net
Ky rast ka ngjallur reagime të menjëhershme në Kosovë, ku avokati Ardian Bajraktari ka komentuar për Lajmi.net rastin e ndalimit të dy qytetarëve në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, duke e cilësuar këtë si pasqyrim të qasjes së vjetër të shtetit serb ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Sipas tij, Serbia vazhdon të funksionojë nën mendësinë e regjimit të kaluar, dhe për aq kohë sa në krye të këtij shteti qëndron një udhëheqës që dikur ka shërbyer me propagandë dhe përkrahje ndaj një regjimi gjenocidal, është vështirë të pritet një sjellje ndryshe.
“Kjo para së gjithash dhe në radhë të parë shpërfaqë qasjen e shtetit serb, i cili assesi nuk po arrin të shkëputet nga qasja dhe mendësia e kaluar, dhe për aq kohë sa në krye të këtij shteti qëndron një person i cili me propagandë dhe jo vetëm i ka shërbyer një regjimi gjenocidal, vështirë të pritet ndryshe”, theksoi ai.
Avokati thekson se ndalimet për ngjarje të ndodhura dekada më parë, madje edhe jashtë territorit të Serbisë, nuk janë të zakonshme në rrethana normale, por në rastin e Serbisë këto janë zhvillime të pritshme. Ai kujton se në të kaluarën janë ndaluar edhe persona që fizikisht nuk kanë qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës.
“Në rrethana normale ndalimet e tilla nuk do të dhej me ndodhë, shto faktin këtu që në jo pak raste ka pasur ndalime të personave të cilët as fizikisht nuk kanë qenë në Kosovë në kohën e luftës, por nga shteti serb gjëra të tilla janë të pritshme”, shtoi Bajraktari.
Duke folur për aspektin juridik, Bajraktari thotë se në raste të tilla zakonisht aktivizohet fusha e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, por në mes të Kosovës dhe Serbisë një bashkëpunim i tillë pothuajse nuk ekziston, sidomos për çështje të tilla.
“Në raste të tilla, vjen në shprehje fusha e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Por kjo në mes të Kosovës dhe Serbisë, thuajse nuk ndodhë fare, e aq më pak për çështje të kësejë natyre”, u shpreh avokati kosovar.
Sa i përket mundësive të Kosovës për të mbrojtur qytetarët e saj në raste të tilla, ai tregon se kapacitetet janë të kufizuara për shkak të mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë me Serbinë. Në vend të kësaj, komunikimi zhvillohet përmes mekanizmave ndërkombëtarë si UNMIK dhe EULEX, gjë që e vështirëson dhe e ngadalëson ndjeshëm procesin.
“Kapacitetet e Kosovës janë bukur të kufizuara në drejtim të ndërmarrjes së ndonjë hapi, për faktin se siç dihet dhe e theksova më lartë, nuk ka bashkëpunim në mes të dy vendeve, komunikimi në fushën juridike ndërkombëtare zhvillohet nëpërmes mekanizmave ndërkombëtar prezent në Kosovë (UNMIK-ut dhe EULEX-it), çka e vështirëson e ngadalëson komunikimin”, tregoi ai për lajmi.net
Në fund, Bajraktari nënvizon se, për aq kohë sa kjo qasje politike e Serbisë mbetet e pandryshuar, mënyra më e sigurt për qytetarët e Kosovës për të shmangur ndalime të tilla është të mos kalojnë nëpër territorin serb.
“Derisa të jetë kjo qasje dhe kjo mendësi tek shteti serb, mundësia e vetme për të mos u ballafaquar me ndalime dhe arrestime të tilla, është shmangia e këtij shteti”, përfundoi avokati.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji – Serbia vazhdimisht ka lëshuar fletarrestime ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, shpeshherë pa prova konkrete dhe në baza politike. Në vitet e fundit janë raportuar disa raste të ngjashme, ku qytetarë të Kosovës janë ndaluar nëpër kufij të ndryshëm për akuza që lidhen me luftën e fundit në Kosovë./Lajmi.net/