Avokatët e Presidentit Trump rifillojnë mbrojtjen në Senat

21:53 | 27 Janar 2020

Avokatët e Presidentit Donald Trump rifillojnë sot mbrojtjen e tyre në gjyqin në senat, ndërkohë që demokratët bënë përsëri thirrje për paraqitje dëshmitarësh. Thirrjet vijnë pas një njoftimi të gazetës Nju Jork Times, sipas së cilës Presidenti Trump i ka thënë ish këshilltarit të tij të Sigurisë Kombëtare, se dëshironte ta pezullonte ndihmën ushtarake për Ukrainën, derisa Kievi të niste hetime rreth rivalit të tij demokrat Joe Biden.

Gazeta njoftoi së pari të dielën për aludimet që përfshihen në një libër të ri të ish këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton, të cilat më vonë u konfirmuan nga media të tjera.

Presidenti Trump është duke u gjykuar në Senat për akuzën se bllokoi 391 milion dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën ndërkohë që u përpoq të nxiste udhëheqësit ukrainas të hetonin rreth ish-nënpresidentit Biden si dhe një teorie tashmë të diskredituar se ishte Ukraina, jo Rusia, që ndërhyri në zgjedhjet e 2016s në SHBA. Një akuzë tjetër është se Presidenti pengoi Kongresin me përpjekjet për të minuar hetimet për veprimet e tij.

Sot, duke komentuar në Twitter, Presidenti e hodhi poshtë versionin e zotit Bolton siç ishte njoftuar nga mediat.

“Kurrë nuk i kam thënë John Boltonit se ndihma për Ukrainën lidhej me hetimet ndaj demokratëve, përfshirë zotin Biden dhe të birin e tij. Në fakt, ai kurrë nuk u ankua për këtë kur u largua nga detyra në mënyrë mjaft publike. Nëse John Bolton e thotë këtë, kjo është thjesht për të shitur një libër”, shkruante presidenti Trump.

Një avokate e zotit Bolton tha në një deklaratë se dorëshkrimi i librit ishte dërguar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare një muaj më parë për t’iu nënshtruar shqyrtimit, një procedurë standarde për informacionet e klasifikuara përpara se të bëhen publike.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë si prokurorë në gjyqin kundër Presidentit Trump bënë një deklaratë ku përsërisnin thirrjet që zoti Bolton të thirret si dëshmitar, duke thënë se ai “ka informacion jetik që mund ta ofrojë”.

Shtëpia e Bardhë bllokoi disa zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të administratës që të dëshmonin para komisioneve të Dhomës gjatë hetimeve përpara gjyqit, duke përfshirë zotin Bolton dhe shefin e stafit në detyrë të Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaney, me arsyen e privilegjit që gëzon ekzekutivi.

Zoti Bolton u largua nga posti i tij në shtator dhe tha këtë muaj se ai është i gatshëm të dëshmojë nëse Senati ia kërkon këtë. /VoA