Autostrada Tiranë-Durrës: Shembet njëra korsi

Njëra korsi në autostradën Tiranë-Durrës është shembur tërësisht, me ç’rast është kthyer në një rrezik për automjetet ditën e sotme.

Lajme

05/10/2014 16:41

Në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Sukthit, korsia anësore e saj është shembur tërësisht në një gjatësi prej rreth pesë metrash. Shkak është bërë një defekt në tubacionin e ujësjellësit pranë mbikalimit hekurudhor, që la një pjesë të qytetit të Durrësit pa ujë.

Për të riparuar defektin, ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, i është dashur të prishë edhe autostradën dhe të hapë në korsinë anësore të saj një gropë afro 6 metra të thellë.

Punimet e kanë ngadalësuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment të autostradës.

Drejtoria e Rrugëve bëri të ditur se do të punojë prej ditës së sotme për ta riparuar autostradën, por pa sqaruar se sa do të zgjasin punimet, raporton Shekulli.