Autoritetet spanjolle: Nuk ka kërcënim për sulme të reja
Ministri i Brendshëm i Spanjës, të shtunën ka thënë se shteti megjithatë do të shtojë masat e sigurisë në ngjarjet ku tërheqin masa të mëdha, si dhe në lokacionet turistike në vend

Bota
Autoritetet spanjolle kanë vendosur që nivelin e kërcënimit nga terrorizmi të mos e rrisin në pesë, por të mbesë në shkallën e katërt, duke deklaruar se nuk ka kërcënime për sulme të reja, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Brendshëm i Spanjës, Juan Ignacio Zoido, të shtunën ka thënë se shteti megjithatë do të shtojë masat e sigurisë në ngjarjet ku tërheqin masa të mëdha, si dhe në lokacionet turistike në vend.
Qytetarët e Barcelonës pas sulmeve po i rikthehen jetës normale
Qytetarët e Barcelonës të tronditur nga sulmet terroriste, nën masa të forta të sigurisë po përpiqen që t’i rikthehen jetës normale.
Pas sulmit në qytet janë rritur masat e sigurisë, ndërsa në të gjitha vendet e mbushura me njerëz janë vendosur forcat policore. Qytetarët kanë formuar radhë të gjata për të shkruar në “librin e ngushëllimeve” të hapur në kuvendin komunal.
Në anën tjetër sipas lajmeve të mediave lokale, për shkak të sulmeve terroriste në Barcelonë, i cili është njëri prej qyteteve më turistik në Spanjë, janë anuluar rezervimet nëpër hotele ose ka pasur dalje të parakohëshme nga ato.
Në lajme ku thuhet se në qytet kanë nisur ofertat për turistët dhe se dje autobusët e tureve të qytetit kanë ofruar udhëtim falas, thuhet se përfaqësuesit e turizmit në Barcelonë, të cilin gjatë një viti e vizitojnë 12,5 milionë turistë, presin që të ketë anulime për një kohë të shkurtër për shkak të kërcënimit nga terrorizmi.
Në anën tjetër bëhet e ditur se nga sulmet terroriste kanë humbur jetën 14 persona, njëri në Cambrils dhe 13 të tjerë në Barcelonë, dhe që 54 prej 126 të plagosurve po trajtohen nëpër spitale.
Departamenti i Shëndetësisë i Administratës Autonome të Katalonjës bën të ditur se 12 persona janë në gjendje kritike dhe se 25 të tjerë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mbreti i Spanjës, Felipe i 6-të dhe bashkëshortja e tij, mbretëresha Letizia kanë vizituar të plagosurit në një spital në Barcelonë.