Autoritetet serbe ia heqin gërmadhat e shtëpisë familjes Jashari në Rahovicë
Skender Jashari nga fshati Rahovicë i Komunës së Preshevës, i strehuar si refugjat politik në Kosovë, thotë se autoritetet serbe ia kanë hequr gërmadhat e shtëpisë së familjes së tij më 28 tetor të këtij viti.

Lajme
“Më 28 tetor 2016, njoftohem nga disa fqinjë të mi, që disa kamion dhe një eskavator kishte hequr gërmadhat e shtëpisë së familjes time të ngushtë, duke e fshehur kështu çdo gjurmë të terrorit të Serbisë. Nga dëshmitë e fqinjëve, tregojnë që kamionët dhe eskavatori nuk kanë qenë nga komuna e Preshevës- sepse nuk i njohin fare”, thotë Jashari.
Sipas tij, Serbia në mënyrë të përsëritur ka demoluar shtëpinë e tij që nga vitit 2012, duke shkaktuar terror mbi këtë familje.
Ai madje thotë se në vitin 2013 shtëpia i ishte detonuar deri në djegien e tërësishme të saj.
“Kjo shtëpi është demoluar disa herë: më dhjetor 2012 ishte vandalizu-demolu. Më 7 korrik 2013 sërish demolohet dhe shkruhen grafite shoveniste serbe( derisa në Gjykatën Themelore në Gjilan, Fraksioni politik i EULEX-it i porositur nga Serbia, zhvillonte gjykimin politik kundër meje si pjesë e Grupit të Dobrosinit-të Lëvizjes së Lirisë); e që më 18 dhjetor 2013 minohet e që detonohet gjatë ditës, duke shkaktuar djegien e tërësishme të kësaj shtëpie”, ka thënë Jashari.
Jashari ka theksuar se më 29 tetor 2016, ka lajmëruar institucionet kompetente, vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë për këtë rast, por se sipas tij asnjë nga ta nuk është marrë me këtë shqetësim.
“Njëjtë edhe Institucionet-Organizatat që në Luginë të Preshevës janë të akredituara nga Bashkimi Evropian, për të mbrojtur të drejtat e shqiptareve, siç edhe më përpara ka ngja, plotësisht heshtin”, thotë ai.
Skender, (Gjergj-emri i pagëzimit) Jashari, ishte gjykuar nga EULEX-i në Gjykatën Themelore në Gjilan, si pjesë e Grupit të Dobrosinit-të Lëvizjes së Lirisë, gjykim ky të cilin ai e quan politik dhe të porositur nga Serbia.
Ai ishte dënuar për Luftë Guerile kundër Serbisë.
Jashari ka dërguar në e-mailin e redaksisë së KosovaPress-it edhe disa fotografi të shtëpisë së tij, para dhe pas demolimit të tërësishëm të saj./KosovaPress/