Autoritetet holandeze bëjnë gati raportin hetimor për “MH17”

Bordi holandez për sigurinë përgatitet të publikojë raportin final mbi fluturimin malajzian MH17 të rrëzuar në Ukrainë në vitin 2014. Episodi fatkeq i kushtoi jetën të 298 personave në bord.

Bota

13/10/2015 12:48

Hetimet paraprake treguan se mjeti mund të ishte goditur nga jashtë nga objekte me fuqi të lartë, çka nxiti spekulimet se shkak i rënies mund të jetë bërë një raketë tokë-ajër.

Perëndimi dhe Kievi dolën shumë shpejt me pretendimet se boingun 777 e rrëzuan rebelët pro-rusë; Rusia nga ana tjetër fajëson Ukrainën.

Edhe pse pritet me padurim, raporti nuk do ta sqarojë megjithatë se kush ka të drejtë pasi nuk thotë se mbi kë rëndon faji i tragjedisë. Moska sakaq do të nxjerrë edhe ajo raportin e saj.

Avioni i nisur nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit ra në lindje të Ukrainës 17 korrikun e vitit të kaluar, pikërisht në kohën kur konflikti mes forcave të Kievit dhe separatistëve pro-rusë ishte në kulmin e tij. Mes viktimave kishte 196 shtetas holandezë dhe 10 britanikë.

Bordi i sigurisë fillimisht rezultatin e hetimeve të veta do t’ia bëjë të ditur familjarëve të atyre që humbën jetën e më pas do t’ua përcjellë reporterëve në bazën ushtarake Gilze-Rijen në Holandë.

Ai do të tregojë gjithashtu edhe pjesë nga avioni që janë marrë nga rajoni i Donjeckut, i kontrolluar prej rebelëve, e që më pas janë rikosntruktuar.

Katër janë pikat ku përqendrohet ky dokument:

Çfarë e shkaktoi copëtimin e avionit në ajër;

Përse po flutronte mbi një zonë konflikti;

Përse disa prej të afërmve iu desh të prisnin katër ditë përpara se të merrnin konfirmimin zyrtar se njerëzit e tyre të dashur ishin në bord;

Në çfarë mase kanë qenë të vetëdijshëm pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit se çfarë po ndodhte në momentet e tyre të fundit./TopChannel