Autobusë me protestues vërshojnë Tiranën

Mëngjesin e së enjtes me qindra autobusë nga të gjitha rrethet janë nisur drejt Tiranës. Të organizuar nga strukturat lokale të Partisë Demokratike të Shqipërisë, mbështetësit e kësaj force politike, së bashku me të zgjedhurit lokal, kanë udhëtuar drejt kryeqytetit.

Lajme

12/03/2015 10:06

Një pjesë e madhe e atyre që marrin pjesë në protestë janë nisur me mjete më të vogla në mënyrë sporadike. Organizimet janë bërë në qendrat e qyteteve dhe stacionet e autobusëve, ku mbështetësit e Partisë Demokratike i janë përgjigjur thirrjes për protestë.

Nga Vlora mësohet se nga ora 07:30 janë nisur 5 autobusë dhe disa furgonë. Nga Fieri nisjet kanë qenë më të mëdha, konkretisht 9 autobusë dhe 16 furgonë. Ndërsa në Kukës drejtuesit lokalë të PD thanë se kishin organizuar mbi një mijë persona. Përfaqësuesit e protestuesve nga rrethet thanë se protesta do jetë e qetë.

Siç ishte lajmëruar, policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha akset kryesore. Mjetet që transportojnë pjesëmarrësit në protestë janë kontrolluar nga ana e policisë rrugore dhe asaj të rendit e më pas ka vijuar udhëtimi drejt kryeqytetit. Nuk ka njoftime për ndonjë të ndaluar apo të shoqëruar, si dhe për incidente./Topchannel/