Austria ndihmon në zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi

Shefi i diplomacisë austriake, Sebastien Kurz, paralajmëron vizitë në Kosovë dhe Serbi për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. Ai është takuar dje me ndërmjetësen në dialogun Kosovë-Serbi, Baroneshën Catherine Ashton.

Lajme

08/01/2014 10:28

Austria ka premtuar se do ta shtojë interesin e saj diplomatik për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Këtë zotim e ka bërë Ministri i ri i Punëve të jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz pas një takimi që ka zhvilluar me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të jashtme dhe Siguri të bashkimit Europian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetëse në këtë dialog.

Kurz, 27 vjeçar, i cili ka marrë detyrën e shefit të diplomacisë austriake muajin e kaluar, ka thënë se së shpejti do ta vizitojë Prishtinën dhe Beogradin për të biseduar me palët në proces.

”Jami marrë vesh me zonjën Ashton, që të vizitoj Serbinë dhe Kosovën“, ka thënë Kurz pas takimit me Ashtonin, raporton Rtklive.

“Vizita do të jetë një sinjal se Austria vlerëson gatishmërinë Serbisë dhe Kosovës për dialogun që po zhvillojnë”, ka theksuar Ministri i Jashtëm i Austrisë.