Austria e do Ballkanin në BE

Të hënën mbahet takimi i Ministrave të Jashtëm të BE’së. Integrimi i Ballkanit në këtë union shtetesh do të jetë një nga temat e bisedimeve. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, premton se do të jetë në favor të integrimit të vendeve të Rajonit.

Lajme

18/01/2014 10:20

Ministri i ri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, do të flasë në favor të integrimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian kur t’i takojë homologët e tij të BE’së, javën e ardhshme.

Ky do të jetë takimi i parë formal me kolegët nga BE për Kurz, vetëm 27 vjeçar dhe një yll në rritje në Partinë Popullore i cili mori pozitën e drejtuesit të politikës së jashtme në një riformatizim të kabinetit pas zgjedhjeve të shtatorit në Austri.

“Theksi im do të jetë zgjerimi i BE’së me vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë për Reuters, Ministri i Jashtëm më i ri ndër 28 vendet anëtare të BE’së.

“Ne kemi shumë vende të cilat, falë Zotit, kanë perspektivë për anëtarësim. Perspektiva e anëtarësimit sjell stabilitet dhe vullnet për reforma, dhe rajonit i duhen që të dyja urgjentisht” tha ai para bisedimeve në Bruksel që mbahen të hënën.

Austria neutral, lidhjet e së cilës me rajonin e Ballkanit janë të thella që nga ditët e Perandorisë së Habzburgëve, e din se këto vende duhet t’i përmbushin disa standard strikte për t’u bashkuar në BE, por “ne duam të jemi një partner i fortë i cili kontribuon për të pasur ato shtete të cilat përmbushin këto kritere sa më shpejt që të jetë e mundur”.

BE e shpërbleu Serbinë vitin e kaluar për përmirësimin e marrëdhënieve me armikun e vet, Kosovën, duke u pajtuar që bisedimet për anëtarësim në union të fillojnë javën e ardhshme. BE gjithashtu është pajtuar që me Kosovën të fillojnë bisedimet për të krijuar lidhje më të afërta.

Shqipërisë deri më tani i është mohuar statusi i kandidates për BE për shkak të dështimit për të kaluar legjislacionin e duhur, ndërsa kandidatura e Bosnjës është në pritje të reformave kushtetuese.

Sipas Ministrit Kurz, Ballkani mbetet fokusi kryesor për operacione paqeruajtëse përderisa mban në Kosovë afër 400 ushtarë në kuadër të misionit të NATO’s (KFOR).

“Ballkani Perëndimor është një rajon vendimtar. Është prioriteti ynë kryesor. Ne duhet të ofrojmë çdo ndihmë që mundemi”, tha Kurz, i cili ka qenë Sekretar i Shtetit i ngarkuar me integrimin e komunitetit të emigrantëve.