Atletico Madrid nis procedurat, kërkon 200 milionë euro nga shitja e Griezmann

Atletico Madrid ka reaguar pas zyrtarizimi të Antoine Griezmann te Barcelona.

Sport

12/07/2019 16:33

Katalanët kanë njoftuar se kanë paguar klauzolën e lojtarit, e cila nga data 1 korrik nga 200 milionë euro kishte rënë në 120 milionë.

Por, skuadra e Atletico Madrid përmes një reagimi ka kërkuar që Barcelona të paguajë 200 milionë euro për lojtarin, pasi sipas tyre, marrëveshja është arritur para se të aktivizohej klauzola e korrikut që parashihte ulje të çmimit.

“Shuma e depozituar është e pamjaftueshme për të paguar klauzolën e lirimit, sepse është e qartë se marrëveshja mes klubit dhe Barcelonës është bërë përpara se çmimi të ulet nga 200 në 120 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Atleticos, përcjell lajmi.net.

“Atletico Madrid kupton se kontrata ishte thyer para përfundimit të sezonit të kaluar, në bazë të fakteve, veprimeve dhe deklaratave të lojtarit, klubi tani ka nisur procedurat që i konsideron të përshtatshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime”.

“Atletico janë të lodhur nga sjellja e Barcelonës dhe lojtarit, e sidomos të Barcelonës, që ka nxitur lojtarin që të prish marrëdhënien e tij kontraktuese me Atletico Madrid në një kohë kur po luhej jo vetëm për Ligën e Kampionëve kundër Juventusit, por gjithashtu edhe për titullin e La Ligas kundër Barcelonës”./Lajmi.net/