Atletico Madrid heroik, shkon në finale

Atletico Madrid mposhti Chelsean në Stamford Bridge me rezultat 3:1 dhe u kualifikua në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve. Atje do të ndeshen me rivalin e qytetit Real Madrid.

Sport

30/04/2014 23:38

Atletico Madrid i dha leksion Chelseas duke e mposhtur 3:1 në Stamford Bridge dhe siguroi kualifikimin në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.

Skuadrat barazuan pa gola në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Vicente Calderon, por ballafaqimi i kthimit ishte vërtetë i ndezur pasi Blues luajtën më hapur, meqë vetëm fitorja u kryente punë.

Chelsea kaloi e para në epërsi me golin e ish yllit të Atleticos, Fernando Torres në minutën e 36-të. Reprezentuesi spanjoll shënoi prej brenda zonës por nuk e festoi golin në shenjë respekti për klubin ku ende konsiderohet si ikonë.

Mirëpo, Atletico u kundërpërgjigj shpejt me golin e Adrian në minutën e 44-të, duke dërguar skuadrat në zhveshtore me rezultat të barabartë. Mirëpo, pas intervalit, Chelsea u duk e përgjumur, kurse Atletico shkëlqeu.

Pas një orë loje, Samuel Eto’o ndërhyri gabimisht brenda zonës dhe gjyqtari Rizzoli akordoi penallti në favor të mysafirëve të cilën në gol e shndërroi objektivi i Chelseas, Diego Costa.

Ndërsa, në minutën e 72-të, mesfushori turk Arta Turan fillimisht qëlloi traversën, por shënoi nga topi i kthyer, duke vulosur eliminimin e Chelseas dhe kualifikimin e skuadrës së tij në finale.

Atje do të zhvillojnë derbin e qytetit me Real Madridin në Lisbonë më 24 maj.