Atletico e dha maksimumin

Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa thotë se futbollistët dhanë maksimumin për të siguruar kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve. Ata qëndruan të qetë edhe pas golit të Fernando Torresit.

Sport

01/05/2014 00:03

Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa ka thënë se skuadra e tij e dha maksimumin në fitoren 3:1 ndaj Chelseas në Stamford Bridge me çka e siguroi kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve.

Blues kaluan të parët në epërsi me golin e Fernando Torresit, por Atletico u kundërpërgjigj furishëm duke barazuar rezultatin para përfundimit të pjesës së parë nëpërmjet Adrianit, e pastaj shënoi edhe dy herë të tjera pas intervalit me Costan dhe Arda Turanin, për të kompletuar triumfin.

“Ne dhamë absolutisht gjithçka nga vetja për të arritur në këtë finale”, deklaroi Costa pas ndeshjes.

“Ne qëndruam të qetë pas golit nga Fernando Torres sepse e dinim se mund të kualifikohemi në finale edhe me një gol të shënuar”, u shpreh ai.