ATK-ja u shqiptoi 75 mijë euro gjoba bizneseve për ngritje të çmimeve

75 mijë euro është vlera totale e ndëshkimeve nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për bizneset të ndryshme, për shkak të ngritjes së çmimeve gjatë periudhës së pandemisë me Coronavirus. Ndërkaq, nga 1 prilli janë pranuar 3 886 thirrje nga qytetarët.

Lajme

02/04/2020 13:48

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se janë inspektuar 1 826 biznese.

“Nga data 12 mars i gjithë fokusi ynë ka qenë i angazhuar në monitorimin e masës të cilën e ka paraparë Qeveria, me qëllim të parandalimit të pandemisë Coronavirus që ka të bëjë me çështjen e zvogëlimit të lëvizjes së qytetarëve, dhe ajo ndërlidhet edhe me çështjen e ngritjes së çmimeve  në periudhën ku ditët e para u krijua një lloj paniku dhe frikë tek qytetarët dhe filluan kërkesat nëpër markete të ndryshme dhe në ato raste kemi vërejtur që disa biznese filluan edhe t’i ngritin çmimet”, ka thënë ai.

“Ne në ato ditë kemi bërë publike numrat kontaktues që qytetarët mund t’i bëjnë denoncimet në ATK dhe që nga data 12 mars deri më 1 prill, kemi pranuar gjithsej 3886 thirrje, të cilat kanë qenë të karakterit të për çështje tatimore dhe për ngritje të çmimeve”.

“Dhe nga ato denoncime, në 1826 biznese kemi zhvilluar aktivitete dhe kemi bërë verifikimin, ku është konstatuar që te 270 raste kemi konstatim të shkeljeve, ku më pastaj janë deleguar te njësia për shqiptim të gjobave mandatarë, ku deri tani 224 ndëshkime në vlerë totale prej rreth 75 mijë euro”, ka thënë Murtezaj në një intervistë për Ekonomia Online.

Murtezaj ka thënë se denoncimet kanë qenë nga komuna të ndryshme, por për shkak se numri i bizneseve që janë të alokuar në Prishtinë, ky vend prin në numrin e rasteve të lartpërmendura.

Por përkundër kësaj, Murtezaj ka thënë se numri i thirrjeve ka pësuar rënie, ku gjatë ditës së djeshme, janë pranuar vetëm shtatë thirrje për denoncim.

“Si rezultat i punës së mirë që është bërë në teren, kemi stopim të këtij fenomeni të ngritjes së çmimeve dhe përmirësim të gjendjes, ku nga dita e parë ku kemi pranuar 1 333 thirrje, dje kemi pranuar vetëm shtatë thirrje për denoncim, që nënkupton se kemi një stabilizim të kënaqshëm të gjendjes dhe për këtë dua t’i falënderoj stafin e ATK-së, ata kanë qenë të angazhuar me përkushtim të madh, duke e ditur edhe rrezikun që iu eksponoheshin për infektim nga Coronavirus”, ka thënë Murtezaj.

Murtezaj ka thënë se bashkëpunimi me institucionet e reja janë të mira. Teksa ka folur për denoncime, i pari i ATK-së, u shpreh se në përgjithësi ka pasur stabilitet tek bizneset.

“Kryesisht denoncimet kanë pasur të bëjnë te disa produkte bazike ushqimore dhe farmaceutike. Mirëpo, nëse e shohim si tërësi, numri i produkteve të përgjithshme që konsumohen në tregun tonë, kjo është minore me atë që kemi tërësi se ka pasur një stabilitetit të çmimeve”.

“Mbi 99 për qind kanë qenë biznese korrekte dhe kanë operuar me korrektësi në aspektin e çmimeve të tregut, ndërsa një numër i reduktuar, sepse ne dihet se kemi më shumë se 90 mijë biznese që janë aktive në Kosovë, dhe numri prej 270 biznese të cilat janë ndëshkuar, është numër i vogël, pra as 0.01 për qind nuk merr pjesë”, ka thënë Murtezaj.