Atifete Jahjaga: Kemi pak rezultate në luftimin e korrupsionit
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, flet për gazetën Illyria, para vizitës së saj në New York. Thotë se Kosova ka bërë pak në luftën kundër korrupsionit. E quant ë rëndë dhe të vështirë ceshtjen e Tribunalit për UÇK-në.
Lajme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se Kosova ka problem me fenomenet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Sado që ka vlerësuar se këto janë fenomene të shtrira gjithkund në shtetet tjera, Jahjaga është shprehur se, megjithatë, Kosova duhet të matet me veten.
“Nuk e fshehim se kemi pasur më pak rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit dhe nuk e fshehim se nuk jemi shumë të kënaqur me shkallën e krijimit të një shteti të së drejtës. Por të gjitha institucionet, e gjithë shoqëria, të gjithë qytetarët e vendit e shohin si prioritet luftën kundër dukurive negative dhe të gjithë jemi të angazhuar fuqishëm për t’i çrrënjosur këto dukuri. Ne kemi krijuar mekanizma të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe gjithashtu një kornizë të mirë ligjore dhe presim që të gjithë mekanizmat të mandatuar për luftimin e korrupsionit të japin rezultat”, ka thënë Jahjaga në një intervistë për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”.
Ajo ka thënë se Kosova ka mekanizma të rëndësishëm dhe legjislacion të mirë për të luftuar dukuritë negative në vend.
“Tani është koha që institucionet të tregojnë rezultat, rrjedhimisht edhe të vendosin në praktikë politikën e tolerancës zero ndaj korrupsionit. Këtë e kërkojmë të gjithë, edhe institucionet edhe qytetarët e vendit. Bashkërisht do ta bëjmë”, është shprehur ajo.
Duke folur për formimin e Tribunalit që do t’i hetonte dhe adresonte krimet e mundshme të bëra nga ana e UÇK-së, Jahjaga tha se Kosova ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, me besimin se po krijohet një sistem të pavarur dhe i paanshëm të drejtësisë.
“Konsiderojmë se krijimi i mekanizmave të rinj në fushën e drejtësisë duhet të kalojë nëpërmes institucioneve demokratike të Kosovës, të zgjedhura me votën e qytetarëve”.
“Duke krijuar mekanizma të rinj, që janë legjitimuar nga institucionet e Kosovës, ne duhet ta përmbyllim një kaptinë të veçantë që ka shkaktuar dëme në imazhin e vendit dhe këtë duhet ta bëjmë duke bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare. E dimë se është e rëndë dhe e vështirë, por ne besojmë në drejtësi dhe rrjedhimisht besojmë edhe në pastërtinë e luftës së zhvilluar. Përgjegjësitë janë individuale dhe drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet”, tha Jahjaga.