Ata që shkojnë për të luftuar në Siri dhe Irak janë të paditur dhe të mashtruar!

Naim Tërnava kryetar i BIK-ut, ka thënë se të rinjtë kosovarë po mashtrohen për të marrë pjesë në luftën e ISIS-it. Ai ka thënë se nuk e di kush po i mashtron, por që me këtë punë duhet të merret shteti.

Lajme

10/03/2015 14:07

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka thënë se qytetarët e Kosovës që po marrinë pjesë në luftën e ISIS, janë të mashtruar. Ai ka mohuar se kjo gjë po bëhet për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

“Nuk besoj që shkaqet ekonomike kanë ndikuar qoftë edhe te një person që ta marrë atë rrugë drejtë Sirisë dhe Irakut, kam bindjen se ata janë të mashtruar”,ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ai duke folur për hetimet ndaj 135 kosovarëve të dyshuar për terrorizëm, thotë se nuk e di nëse në mesin e tyre ka imam, por që nuk e përjashton një gjë të tillë.

“Nuk kam lexuar që në mesin e tyre mund të ketë edhe imamë. Megjithatë, edhe kjo është e mundshme që në mesin e tyre të ketë edhe imamë. Por, kjo është punë që e bën shteti, që e bëjnë institucionet e shtetit dhe sigurisht që ato janë të thirrura dhe janë përgjegjëse për këtë që të shihet dhe të sigurojnë siguri brenda për brenda Kosovës, pavarësisht se kush mund të jenë ata”, është shprehu ai.

Tërnava ka deklaruar se është punë e shtetit që të merret me gjithë ata të cilët i mashtrojnë qytetarët, për të marrë pjesë në konflikte të huaja.

“Mirëpo kushdo qofshin ata, kjo është punë e shtetit që duhet ta hulumtojë. Ai i cili ka ndikuar dhe ndikon në shkuarjen dhe humbjen e jetës së një të riu tonë atje, ndaj tij duhet të merren masa, qoftë ai edhe myftiu i Kosovës, qoftë ai edhe imam, qoftë ai edhe kryetar shteti, kryeministër, ministër”, ka deklaruar myftiu Tërnava.

Kreu i BIK-ut, ka folur edhe për tolerancën ndërfetare, duke mohuar se shkuarja e disa qytetarëve për të luftuar krahas ISIS, ta dëmtojë këtë.

“Bashkësia Islame e Kosovës në këtë drejtim është një portë e hekurt mbi të cilën nuk mund të kalojë askush asnjëherë për të prishur marrëdhëniet ndërfetare, të cilat ekzistojnë jo vetëm në Kosovë, por brenda kombit shqiptar, kudo që ata jetojnë, brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët”.

“Ne do të bëjmë të pamundshmen që asnjëherë këto marrëdhënie tona të mira të mos lëkunden, edhe nëse dikush tenton t’i lëkund”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se në konferencën ndërkombëtare të mbajtur në Mekë, për të diskutuar luftën kundër terrorizmit, ka thënë se konkluzionet e fundit të kësaj konference katër ditore ku morën pjesë afër 100 shtete, u nënvizua mbledhja e tërë potencialit intelektual që ekziston në botën islame, por jo dhe më gjerë  për të ndikuar te këta të rinj, të cilët janë mashtruar dhe e kanë keqinterpretuar dhe keqkuptuar islamin.