Ata erdhën e shkuan, Zabaleta mbeti në Man City
‘Gjithmonë mundohuni të jeni vetvetja, por nëse nuk mund të jeni vetvetja, atëherë bëhuni Pablo Zabaleta”, shkruante në një transparent të një tifozi në Etihad Stadium gjatë një ndeshje të Manchester Cityt. Klubi i pasur nga Premierliga me kalimin e vjetëve ka transferuar yje të shumtë përfshirë Mario Balotellin, Carlos Tevez, Emmanuel Adebayor, e Robinho,…
Sport
‘Gjithmonë mundohuni të jeni vetvetja, por nëse nuk mund të jeni vetvetja, atëherë bëhuni Pablo Zabaleta”, shkruante në një transparent të një tifozi në Etihad Stadium gjatë një ndeshje të Manchester Cityt.
Klubi i pasur nga Premierliga me kalimin e vjetëve ka transferuar yje të shumtë përfshirë Mario Balotellin, Carlos Tevez, Emmanuel Adebayor, e Robinho, por sot asnjëri prej tyre nuk është më pjesë e ekipit.
Por, Zabaleta po. Futbollisti që në shikim të parë nuk bie fort në sy, meqë luan në pozitën e mbrojtësit të djathtë, vazhdon të jetë anëtar i rëndësishëm i Cityt dhe sezonin e kaluar u shpall futbollisti më i mirë i vitit për ekipin nga Etihad.
“Nuk e di prej nga erdhi ai transparent. Por, më pëlqen dhe më bëri të ndihem mirë. Njerëzit më njohin, jam person i qetë, mundohem të ndihmoj të tjerët”, deklaroi Zabaleta për Daily Mail.
Zabaleta është futbollist i Cityt tash e pesë vjet. I transferuar nga Mark Hughes në gusht 2008, ai ishte i fundit që hyri në derë kur sheikët nga Arabia erdhën në klub, vetëm dy ditë më vonë.
“Jemi unë, Vincent Kompany, Micah Richards dhe Joe Hart. Kemi mbetur vetëm ne. E thërras këtë grup: shpëtimtarët. Aq shumë ka ndodhur gjatë kësaj periudhë sa që është e jashtëzakonshme. Dy ditë pas meje erdhi Robinho. Në zhveshtore kemi shkruar “Messi”. Është një vend i lirë nëse ai e dëshiron”, theksoi Zabaleta.