Asociacioni varet nga Veriu

Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, thotë se themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe varet nga Kryetarët e Komunave të Veriut. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë për formimin e tij. Ai heq dilemat se ato do të kenë kompetenca ekzekutive.

Lajme

25/02/2014 06:01

Bekim Çollaku, këshilltar politik i Kryeministrit Hashim Thaçi, thotë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, varet krejtësisht nga vullneti i Kryetarëve të katër Komunave në Veri të Kosovës.

Ai thotë se nuk ka asnjë pengesë që do ta bënte të pamundur themelimin e kësaj bashkësie, e cila është produkt i Marrëveshjes 19 prillit të arritur në Bruksel Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe tashmë në prag të themelimit, ende nuk e ka të definuar qartë  statutin e saj. Mirëpo, autoritetet kosovare thonë se komunat serbe do të kenë kompetenca të njëjta me Asociacionin e komunave tjera në Kosovë.

Në anën tjetër, pala serbe vazhdon të këmbëngulë në qëndrimet e saj se kjo bashkësi duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Por, këshilltari Bekim Çollaku, duke iu referuar marrëveshjes së Brukselit, në një prononcim për lajmi.net, hedh poshtë pretendimet e autoriteteve serbe, duke thënë se asociacioni do të formohet në përputhje me ligje të Kosovës.

“Sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe,  kjo çështje varet nga vullneti i Kryetarëve të katër Komunave të Veriut të Kosovës. Ju takon atyre që të vendosin se kur ata dëshirojnë ta iniciojnë formimin e këtij Asociacioni”.

“Për këto çështje nuk kërkohet bisedime në Bruksel, këto çështje janë krejt teknike”.

“Me Marrëveshjen e Brukselit ne jemi pajtuar që ata kanë të drejtë ta formojnë një Asociacion të tillë të komunave me shumicë serbe të Kosovës. Mirëpo, nuk ka asnjë pengesë e cila do ta bënte të pamundur formimin e këtij Asociacioni”.

“E vërteta e vetme sa i përket statutit dhe funksionit të këtij Asociacioni është ajo që është precizuar me Marrëveshjen e 19 Prillit. Aty thuhet qartë se Asociacioni do të formohet në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, në përputhje me Kartën Europiane”.

“Edhe funksionet, edhe kompetencat e këtij Asociacioni burojnë pikërisht dy lidhjeve që iu referova. Kështu që, nuk mund të flitet për kompetenca ekzekutive, mund të flitet për kompetenca të njëjta që i ushtron edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës”.

Bashkësia e Komunave Serbe që del nga Marrëveshja e 19 Prillit e arritur në Bruksel, në tri pikat e para të saj precizon qartë themelimin dhe funksionimin e këtij Asociacioni.

Por, pas zgjedhjes të Kryetarëve të rinj të Komunave me shumicë serbe, njohësit e çështjeve politike kishin deklaruar se kjo Bashkësi Komunash po shkon drejt një “Republika Srpska”.

Megjithatë, Bekim Çollaku thotë se një variant i tillë nuk do të ndodhë. Ai pohon se kur është arritur marrëveshja, pala kosovare ishte siguruar se nuk do të lejohej formimi i një organi që do të paraqiste një pushtet të tretë.

“Kur kemi nënshkruar Marrëveshjen e 19 Prillit, ne jemi siguruar mbi të gjitha që të mos lejojmë formimin e çfarëdo trupi apo organi, i cili në çfarëdo forme do të paraqiste një nivel të tretë të pushtetit në Kosovë”.

“Këtu nuk mund të flitet për asgjë të jashtëzakonshme, nuk mund të flasim për asnjë organ i cili mund të marrë kompetenca ekzekutive , apo mund të jetë zëvendësim për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Thjesht, flasim për një Asociacion të Komunave, bazuar mbi vullnetin e tyre për të menaxhuar projektet e përbashkëta të nivelit lokal”.

Asociacioni i Komunave serbe pritet të themelohet shumë shpejt pas përfundimit të procesit zgjedhor në Veri të Mitrovicës.