Asociacioni i komunave serbe kurrë nuk do të jetë autonomi

Një nga qëllimet kryesore të Kosovës është integrimi saj në Bashkimin Evropian, shkruan e përjavshmja sllovene Reporter, për çka është e rëndësishme edhe pjesëmarrja e pakicës serbe në pushtet.

Lajme

14/04/2015 23:02

Serbët tani janë pjesë e Parlamentit të Kosovës dhe në ditët e ardhshme do të jenë prapë pjesë edhe e qeverisë. Kosova është atdhe i të gjithë banorëve të saj dhe së bashku ne mund të ndërtojmë një të ardhme për pjesëmarrje në institucionet shtetërore, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri Thaçi.

Me Marrëveshjen e Brukselit, sipas Thaçit, do të krijohet asociacioni i komunave me popullatë serbe, të cilat do të kenë një rëndësi lokale dhe rajonale në fushën e infrastrukturës, të kulturës, arsimit. Por, edhe pse asociacioni nuk do të ketë asnjë funksion legjislativ dhe as ekzekutiv, sipas Thaçit, ai kurrë nuk do të jetë autonomi dhe as nuk do jetë një model i ngjashëm i Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

“Ky asociacion do të veprojë në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe standardet evropiane të funksionimit të pushtetit lokal”.

Në pyetjen e Reporterit se pse nuk e ka marrë postin e kryeministrit pasi ka fituar zgjedhjet e vitit të kaluar, Thaçi është përgjigjur se edhe në Kosovë ka ndodhur ajo çfarë ka ndodhur në vende të tjera, për shembull në Slloveni.

I pyetur për marrjen  e Presidencës në vitin 2016, ai ka shtuar se është i gatshëm ta kërkojë edhe votën e qytetarëve të Kosovës dhe është i sigurt se do ta merrte shumicën e votave, sikur kreu i shtetit të mos zgjidhej nga parlamenti. “Unë jam i përgatitur për të dyja mundësitë, për tetë vjet unë kam bërë politikë me mbështetjen më të madhe në vend. Mendoj se edhe në zgjedhje të drejtpërdrejta do të merrja mbështetjen masive të qytetarëve për President”, transmeton koha.net.

Për marrëveshjen e arritur me Beogradin për Gjyqësorin, Thaçi ka thënë se gjyqtarët serbë ngadalë do të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës. “Marrëveshja demonstron përparim të mirë, ne jemi shumë të vendosur për të vazhduar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshje të reja. Në fund të fundit, do të ketë një normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

I pyetur se cili partner është më i rëndësishëm për Kosovën, Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova ka një partneritet të veçantë dhe miqësi të përjetshme me SHBA-të, por ajo është duke bërë përpjekje për t’u integruar në BE, sepse kjo është rruga e vetme e Kosovës.

E për sa i përket krijimit të Gjykatës Speciale, zëvendëskryeministri kosovar  ka thënë se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi dhe të gjithë të akuzuarit nga Kosova kanë shkuar në Hagë vullnetarisht dhe janë liruar.

“Themelimi i Gjykatës nuk është i lehtë, është barrë e rëndë për ne, por kjo është e vetmja mënyrë për të hequr qafe një lloj reje të zezë mbi Kosovën. Gjykata do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës”.